Zëri kumbues i Akademik Eshref Ademaj
Të nderuar te pranishëm, familjarë, Zhurjanë,
Me rastin e 30 vjetorit të vdekjes dhe 84 vjetorit të lindjes së Akademik Profesor Eshref Ademaj (20. 07. 1940 – 17. 07. 2024), ky promocion ju nderon juve dhe na e rikujton një punëtor të veçantë të arsimit Kosovar dhe Shqiptarë.
Akademik Ademaj ishte profesor universitar dhe matematikan i dalluar, jo vetëm në vend por edhe jashtë. Si profesor, Prodekan, dhe Dekan i FSHMN ishte i përkushtuar, atdhetar i devotshëm dhe i pa kompromis në qëndrime.
Pas vitit 1981, në ish-Jugosllavi, kur gjërat filluan të diferencohen dhe të radikalizohen, si Dekan i FSHMN u pozicionua drejtë, duke mbrojtur të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje, kështu ishte ndër të parët që doli në mbrojte të kauzave dhe kërkesave studentore. Ngjarjet sa vinin e rreshtoheshin dhe kërkohej që elita intelektuale të pozicionohej drejtë zgjidhjeve të çështjeve me rëndësi jetike për mbijetesë në këto treva. Eshrefi ishte i zëshëm, kritik dhe kërkues.
Periudha pasuese, në fillim të viteve 90-ta, Profesor Eshrefin e gjënë në karvanin e gjatë, me shumë profesorë, studentë e veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare, në procesin e pajtimit të gjaqeve në Kosovë. Për këtë nuk e pengoj as sëmundja e rëndë me të cilën përballej.
Situata sa vinte e rëndohej për shqiptarët në ish Jugosllavi, ku shqiptarët përjashtohen nga jeta politike, arsimore, e shëndetësore.
Pas dëbimit të shqiptarëve nga institucionet e shtetit ishte ndër të parët që u përkushtua për fillimin e arsimit paralel në Kosovën e okupuar. Aktivitetet e tij në riorganizimin e jetës në Kosovë atëbotë ishin të veçanta dhe shpesh të rrezikshme.
Pranverat për popullin shqiptar si tërësi, e po ashtu edhe për Profesor Eshrefin ishin të rënda. Kështu në muajin Maj 1993 u diagnostikua me sëmundje të rëndë dhe ju nënshtrua intervenimit kirurgjik në Prishtinë. Përkundër sëmundjes së rëndë, trajtimit dhe intervenimeve të mëvonshme, në Essen të Gjermanisë, kishte energji të pashtershme dhe gatishmëri që në çdo kohë të kyçej në debate dhe promovim të kauzës tonë kombëtare.
Më kujtohet pranvera e vitit 1994, muaji Maj, kur ishte kthyer nga Esseni në Kosovë, për tu bërë anëtarë i jashtëm i Akademisë së Kosovës dhe u takuam. Më tha dhëndër: “ a po më shoqëron të shëtitëm prej këtu e rreth Rektoratit e le të më sheh Rektori serb i dhunshëm Papoviqi se ende jam gjallë, se si duket po kujtojnë se kam vdekur”. U shëtitëm, nuk e di a na pau dikush a jo, por e di se kjo ishte shëtitja ime e fundit me Prof. Eshref Ademaj.
Fjalimet e tij të zjarrta me zërin kumbues edhe sot më kumbojnë në vesh!
E vlerësonte debatin shterues, të zëshëm por produktiv. Nevrikosej nga debatet të pa strukturuara dhe jo produktive.
Rëndimi i pozitës shqiptare në vitet e 90-ta na solli para një sfide të madhe, që debatohej me ngulm: “Serbia ka forcë, por nuk ka popull ta mbaj Kosovën nën thundrën e saj, ndërsa Kosova ka njerëz por nuk ka forcë të çlirohet nga Serbia”. Në këtë kontest Profesor Eshrefi përzgjodhi, dhe atë drejt, qëndrimin e të madhit At Gjergj Fishta “ Ma mirë në dhe me u kja me mall, se ndër shkja me ndej për të gjallë”. Dhe ashtu ndodhi, shqiptarët gjetën forcë profesionale, politike dhe u organizuan drejtë, gjë që e solli lirinë që e gëzojmë sot.
Unë ju përgëzoj për ketë takim që promovon cilësinë dhe vlerën.
Koha e sotme nuk është për lëvdatë. Paslufta, me keqardhje, përmbysi, nëpërkëmbi dhe anashkaloj vlerat arsimore, profesionale dhe promovoj antivlerën për vlerë.
Përmbysja e vlerave të krijuara për një gjysmë shekulli, me mund e sakrificë të madhe, promovimi i antivlerës si vlerë, ka bërë që kriter për vlerësimin e vlerave sot të jetë antivlera. Për këtë sot jemi, ku jemi. Krizë në secilin segment të jetës shoqërore, politike, organizative e profesionale. Të mos flasim për arsimin! U shndërruam nga një popull qe shpresën për të nesërmen e ka pa në vend, në një popull ku i madh e i vogël dëshiron të ik nga këtu, e në veçanti profesionistët dhe rinia.
Uroj që kjo iniciativë e promovimit të vlerave të vendit, të njerëzve të veçuar e me merita të veçanta si Akademik Profesor Eshref Ademaj, të jetë fillimi i mbarë që në Kosovë të fillohet të promovojmë cilësinë, vlerën, dhe të mendohet drejt rikthimit të shpresës, se këtu mund të jetohet dhe atë mirë e sigurt.
Thonë “Guri rëndon në vendin e vet”
Lavdi veprës dhe kontributit të Akademik Profesor Eshref Ademaj!