Institutieps

Sheradin Berisha, VEPRIMTARIA AKADEMIKE DHE KOMBËTARE E PROFESOR ESHREF ADEMAJT

VEPRIMTARIA AKADEMIKE DHE KOMBËTARE E PROFESOR ESHREF ADEMAJT

Ne, nuk do të heqim dorë nga universiteti dhe nëse nuk ia arrijmë qëllimit me paqe, atëherë do t’i përgjigjemi dhunës me dhunë. Kjo do të ndodhë nga vetë populli.“ Dr. Eshref Ademaj, “Bota e Re”, më 3 gusht 1991.

Akademik Eshref Ademaj lindi më 20 korrik 1940 në fshatin Zhur të komunës së Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Normalen në Prizren, (në vitin 1960). Ishte studenti i parë që u regjistrua në vitin 1964, në grupin e matematikës dhe studenti i parë që diplomoi në këtë grup, me sukses të shkëlqyeshëm. Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematikore – Natyrore në Beograd, (në vitin 1970), ku në temën “Grupet lokale nilpotente pa përdredhje” mori titullin magjistër i shkencave të matematikës. Disertacionin e doktoratës me titull “Kontribut për teorinë e grupeve të fundme të thjeshta” e mbrojti në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore të Zagrebit, në vitin 1976.

Ka punuar fillimisht si asistent në Shkollën e Lartë Teknike të Prishtinës, ndërsa në periudhën 1967-1971 punoi si docent. Më 1977 merr titullin profesor inordinar për lëndën Algjebra e përgjithshme në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore të Prishtinës, ndërsa në vitin 1987 zgjidhet profesor ordinar për lëndët “Algjebra e përgjithshme” dhe “Algjebra II”. Rezultatet shkencore të punës së tij i ka kumtuar në tubime të ndryshme ndërkombëtare (në Stamboll, Novosibirsk, Varnë, Leibnitz, Novi-Sad, Athinë, Ohër etj.) Që nga viti 1970 ka mbajtur ligjërata në shumë universitete, si në atë të Tiranës, Sofjes, Jenës, Heidelbergut etj. Me qëllim studimi dhe specializimi qëndroi nga një vit shkollor në disa institucione shkencore në botën e jashtme, si në Universitetin Shtetëror “Lomonosov” të Moskës, në vitin shkollor 1972/73 dhe në Institutin e Matematikës të Universitetit të Heidelbergut (Gjermani), në vitin shkollor 1982/83.

Akademik Eshref Ademaj ishte iniciator dhe realizator i studimeve pasuniversitare nga matematika në FSHMN të Prishtinës, ku ka mbajtur disa kurse speciale nga “Teoria e grupeve të fundme të thjeshta, Gjeometria e fundme dhe Kombinatorika”. Ai, ishte edhe përpilues i kurrikulit mësimor në lëmin e matematikës, veçmas i hartimit të programeve të disiplinave kryesore formuese, në organizimin e katedrës së matematikës, në krijimin e atmosferës shkencore në fakultet e universitet etj. Rrjedhimisht ishte anëtar i komisioneve për përshtatshmëri, vlerësim dhe mbrojtje të disa disertacioneve të doktoratës në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Zagrebit, si dhe mentor i disa magjistrantëve dhe doktorantëve në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 1993 Prof.dr.Eshref Ademaj, është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK). Akademik Eshref Ademaj tërë energjinë e derdhi në avancimin e punës shkencore në Universitet dhe në mbrojtjen e autonomisë së tij. Përgatitja e tij profesionale, aftësitë e jashtëzakonshme pedagogjike dhe organizative, atë e nxorën në ballë të trupës pedagogjike e shkencore të Fakultetit të Shkencave Matematiko Natyrore, por edhe të Universitetit të Prishtinës.

Kontributi i tij ishte madhor në kohën kur pushteti okupues serbë me tërë potencialin e vetë ekonomik, propagandistik, policor e ushtarak ishte përcaktuar për zhbërjen definitive të popullit shqiptar në Kosovë. Ai ishte një nga ideatorët kryesor për vazhdimin institucional dhe legal të punës në Universitet nëpër objekte private, pas aplikimit të masave të dhunshme administrative të pushtetit serbokomunist në Universitetin e Prishtinës. U gjend në ballë të formave të ndryshme të rezistencës për mbrojtjen e tij dhe të shkollës shqip, duke përfshirë këtu edhe protestat dhe demonstratat gjithëpopullore që u organizuan nga viti 1991 e tutje.

“Humbja e një viti akademik nuk është asgjë para idealit të çështjes kombëtare. Ndërsa humbja e shumë viteve nuk do të vjen në konsiderim. Prandaj le ta dinë ata që e shkelën kulturën tonë kombëtare se me dhunë asgjë nuk fitohet. Ne mund të jemi prap optimist dhe nëse humbet ky vit, ngase e dimë fare mirë se kultura dhe tradita e popullit tonë nuk do të humbet kurrë. Dëshmitarët e kësaj i kemi shekujt e përgjakur që kaluan mbi ne. Intensiteti që kemi ndërmarrë ne si universitet, si shoqatë dhe student në asociacionet e ndryshme ndërkombëtare. E po ashtu me grevën e fundit treguam se nuk pajtohemi kurrë me ligjet dhe metodat e vrazhda të Serbisë, që i sjellë në fuqi përmes forcës dhe dhunës policore. Ne, nuk do të heqim dorë nga universiteti dhe nëse nuk ia arrijmë qëllimit me paqe, atëherë do t’i përgjigjemi dhunës me dhunë. Kjo do të ndodhë nga vetë populli.“ (Intervistë: Dr. Eshref Ademaj Kryetar i Shoqatës së Pavarur të Arsimtarëve Universitarë, Nuk heqim dorë nga Universiteti – Gazeta “Bota e Re”, Nr. 17, Prishtinë më 3 gusht 1991.)

Dhe kjo ndodhi! Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) iu përgjigj me armë represionit dhe terrorit të ushtrisë e policisë pushtuese serbe të Sllobodan Millosheviçit dhe përfundimisht në qershor të vitit 1999 (bashkë me NATO-n) e çliroi Kosovën nga pushtimi i egër shekullor.

Ai e hetonte kohën kur duhej vepruar dhe vepronte me aq guxim e mençuri sa s’kishte si të mos i vinin prapa.”  (Prof. Dr. Ejup Statovci, Gazeta “Bujku” më 08.08.1994.)

Nga qershori i vitit 1991 shtëpia e akademik Eshref Ademajt shndërrohet në Rektorat. Në këtë kohë ai ushtronte detyrën e rektorit, ishte edhe Kryetar i Kuvendit të Universitetit, Kryetar i Shoqatës së Pavarur të Arsimtarëve të Universitetit, dhe kjo shoqatë atëkohë kryente punën e organeve universitare, pas suprimimit të tyre nga organet e dhunshme serbe të instaluara në Universitetin e Prishtinës, me vendim të Kuvendit të Republikës së Serbisë (më 27 qershor 1991). Në qershor të vitit 1991 Prof. Eshref Ademaj, arriti t’i tubojë delegatët e Kuvendit të Universitetit në një sallë të Fakultetit Filologjik, ku merret vendimi për shpalljen e konkursit për regjistrimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës për vitin akademik 1991/1992, konkurs ky që u realizua po në atë afat dhe në kushte tejet të rënda. Dhe ky veprim i guximshëm i prof.Eshref Ademajt duket se e ka shpëtuar Universitetin nga shthurja – si vatër e arsimit universitar.

Krahas punës së sukseshme si shkencëtar dhe pedagog në Universitetin e Prishtinës, ai ishte një luftëtar i paepur për të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Që nga viti 1981, ai aktivisht u angazhua për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës, në veçanti kontributi i tij madhor njihet pas vitit 1991, siç e theksuam më lartë në mbrotje të shkollës shqipe dhe të Universitetit të Prishtinës, në kohën kur regjimi i Beogradit ishte vërsulur me të gjitha mjetet dhe metodat për zhbërjen e tyre. Kudo që prezentonte në simpoziume të ndryshme shkencore të niveleve ndërkombëtare, haptas dhe në mënyrë të guximshme dhe argumentuese e prezentonte dhunën dhe gjenocidin serbë, të ushtruar çdo ditë mbi popullin shqiptar të Kosovës. Padyshim se, në këtë kontekst kontributi i tij u materializua me daljen në dritë të librit “Kosova Viktimë” (Kosovo Zrtva) në bashkautorsi me viktimologun e njohur kroat në nivel botëror, Zvonimir Sheparoviqin. Prof. Eshref Ademaj edhe në cilësinë e anëtarit të KMDLNJ-së në Prishtinë në krye me Adem Demaçin, u angazhua dhe kontribuoj në mbrotjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, por edhe për të drejtat kombëtare e njerëzore të shqiptarëve. Në këtë kuadër Akademik Eshref Ademaj kontribut të veçantë ka dhënë edhe në aksionin e pajtimit të gjaqeve në vitet 1990 – 1993.

Unë personalisht ruaj kujtime të pa harruara me Akademik Eshref Ademajn gjatë aksionit të pajtimit të gjaqeve 1990 – 1993… Ai përkrah prof.Anton Çetës, Mark Krasniqit, Mujë Rugovës, e shumë profesorëve  tjerë universitarë, si një plak i urtë e i mençur, me pak fjalë ua shëronte zemrat njerëzve të hasmuar dhe ua hiqte atyre përfundimisht prangat e vetëngujimit. Akademik dr.prof.Eshref Ademaj padyshim ishte ndër figurat më poliedrike të botës intelekuale dhe kombëtare në historin tonë më të re. Akademik Eshref Ademaj, pas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë  në Gjermani më 17 korrik 1994, dhe më 7 gusht u varros me nderime të larta në varrezat e Prishtinës. Prof. dr. Ejup Statovci, në mbedhjen komemorative kushtuar prof. Eshref Ademajt, më 07. 08. 1994, në mes të tjerash ka theksuar se, vepra e tërësishme e Eshref Ademajt është madhore dhe si e tillë përherë do t’i jap dritë mendimit të Universitetit dhe çështjes sonë kombëtare.

Vepra dhe kujtimi  tij nuk do të harrohen kurrë! 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top