Vdekja nuk është fjala e fundit
(varg poetik)
Ky varg poetik i kushtohet njerëzve që kanë lënë gjurmë të pashlyera në të mirë të njerëzimit e të cilët kanë shënuar një epokë të ndritur me punën e tyre, me dijen, me sakrificën, me dashurinë e paepur për njeriun, familjen, rrethin, kombin. Pra, për personalitetet me përmasa universale. E kam fjalën për Akademik Prof. Dr. Eshref Ademaj, të cilin edhe pas 30 vjetësh nga vdekja e tij, e kujtojmë me po të njejtën dhimbje. E ndiejmë të gjithë mungesën e tij, por vepra madhore e tij është brenda nesh, është brenda mbamendjes sonë shoqërore, kulturore, shkencore dhe kombëtare. Profesor Eshrefi ishte njeri shumë dimensional, përfaqësonte shkencëtarin e përpiktë, matematicientin me përmasa të gjëra, jo vetëm në suaza kombëtare, por edhe më tutje, ato ndërkombëtare. Aq sa është matematika shkencë ekzakte, aq edhe profesori ishte i përpiktë me tërë “ashpërsinë” e tij, duke mos lëshuar pe për asgjë.
Ai shkollën fillore e kreu në Zhur, kurse Shkollën Normale në Prizren, dhe ishte një ndër gjeneratat e para që duhej të kryenin shkollën e mësuesisë, dhe të shpërndaheshin më vonë nëpër qytete e fshatra të Kosovës për të dhënë dije. Ishte periudha e entuziazmit për shkollim dhe detyra e mësuesve të rinj ishte e shenjtë, pra ishin fillimet e entuziazmit kombëtar. Në këto rrethana filluan edhe përpjekjet, ndonëse me vështirësi, të intelektualëve të rinj shqiptarë për arsimimin dhe edukimin, jo vetëm të fëmijëve të tyre, por edhe popullatës në përgjithësi. Ishte lufta kundër analfabetizmit, ku pjesa më e madhe e popullatës ishte analfabete. Në këto rrethana historike, u shkollua, u rrit, u kalit edhe profesor Eshrefi. Studimet janë një kapitull më vete për profesorin. Merreni me mend, në ato rrethana me pak kushte materiale e me përvojë të mangët jetësore, të shkollohesh në një ambient ku emërtimi i të qenit student për matematikë, ishte nocion abstrakt. Në këto rrethana shoqërore, ku ndihej njëfarë liberalizimi në shoqërinë e atëhershme, sidomos pas rënies së Aleksandër Rankoviqit, njeriut famëkeq që kishte vrarë, prerë, burgosur, torturuar dhe ndjekur mijëra shqiptarë në emër të komunizmit dhe vllazërim-bashkimit të atëhershëm. Në fakt, nuk ishte përndjekje ideologjike, por më shumë kombëtare. Pra, kemi vitet e ’60-ta të shekullit XX .
Të jetosh e të studiosh në një sistem totalitar, ishte si të ecësh nëpër teh të shpatës. Në këtë kontekst historik, shoqëror, social, studioi dhe i kreu studimet për matematikë profesor Eshrefi, kuadër i rrallë në Kosovë në këtë lëmi, ku në gishta numëroheshin njerëzit e tillë. Dhe, detyra dhe barra e rëndë i ra profesorit dhe shokëve të tij, të nxirrnin edhe kuadro të reja. Pra, tash e tutje nuk duhej vetëm shkollim i thjeshtë, por të avancojë edhe shkenca si bazë themelore për zhvillimin e vendit, sidomos kur kjo kulmoi me themelimin e Universitetit të Prishinës në vitin 1972. Në vitin 1974, me ndryshimet kushtetuese që ndodhën, Kosova fitoi një autonomi substanciale në qeverisje në sistemin e atëhershëm kushtetues jugosllav. U bë e mundur një zhvillim dhe emancipim më i madh i shoqërisë në të gjitha nivelet, atë shoqëror, ekonomik, edukativ, arsimor, ideor dhe kombëtar. Në këto rrethana, profesor Eshrefi dha kontribut të çmuar si profesor universitar, udhëheqës, konkretisht ishte Prodekan dhe Dekan i Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave të Natyrës në Universitetin e Prishtinës, ku me mençuri i drejtoi dhe i ngriti në një nivel tjetër të arriturat shkencore. Kështu që, Universiteti i Prishtinës e arriti nivelin e universiteteve tjera në Jugosllavinë e atëhershme, sidomos gjatë viteve ’70 – ’80. Universiteti i Prishtinës kishte një bashkëpunim të shkëlqyer me Universitetin e Tiranës, ku shumë profesorë nga Tirana dhanë një ndihmesë të madhe në të gjitha lëmitë, por në të njëjtën kohë edhe shumë profesorë të tjerë nga Universiteti i Prishtinës kontribuan në Tiranë. Në këtë periudhë, Eshrefi mori të gjithë titujt e mundshëm shkencorë, nga Magjistër i shkencave të matematikës deri te tituli Doktor shkence. Emri i tij i kaloi edhe kufijtë, duke u bërë i njohur edhe në shumë vende të botës si shkencëtar i mirëfilltë.
Botoi punime shkencore në revistat më të njohura në botë, mori pjesë në shumë seminare dhe kongrese dhe ligjëroi në disa universitete të njohura të botës. Njihte disa gjuhë të huaja si: anglisht, gjermanisht, rusisht dhe serbisht. Jo rastësisht, ai u shpall njëri ndër 5000 personalitetet më me ndikim në botë. Pastaj u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, ndoshta janë vitet më dramatike në historinë e popullit tone, Kosovës iu morën të gjitha të drejtat kushtetuese, filloi ndjekja, burgosja dhe vrasja e njerëzve të pafajshëm. U mbajtën protesta, greva, demostrata në çdo cep të Kosovës, të cilat u shuan me gjak, ku u vranë demostrues të pafajshëm e me qindra tjerë u plagosën. U burgosën e u dënuan me mijëra demostrues, u dërguan nëpër kazamatet serbe, por vullneti dhe dëshira për liri dhe pavarësi ishte më e madhe. Pra, një popullatë e tërë ishte privuar nga liria, dhe ishte në pyetje mbijetesa kolektive.
Fati duhej të mirrej në dorë të atyre që dijnë të drejtojnë popullin në këto momente të rënda historike. Ishte udhëkryqi më i rëndë në historinë tonë kombëtare, por një gjë dihej, kurrë më nën tutelën e Serbisë. Tashmë ishte sheshuar rruga drejt pavarësisë, pa marrë parasyshë çmimin. U krijuan struktura të reja për udhëheqje në arsim, si LASH-i, Sindikatat e pavarura, Këshilli për financim, Këshilli për liritë e të drejtat e njeriut, ku ishte edhe anëtar profesor Eshrefi. Pra, të gjitha hallkat e arsimit u funksionalizuan, u hapën shtëpitë–shkolla në të gjitha nivelet e arsimit që nga fillorja e deri te Universiteti i Prishtinës. Në ballë të saj u vu edhe profesor Eshrefi, në cilësinë e profesorit dhe udhëheqësit, konkretisht u zgjodh Kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve Universitar dhe Punëtorëve të tjerë shkencor të Kosovës, pozitë kjo për të cilën duhej guxim, mund, shkathtësi dhe mbi të gjitha edhe trimëri. Të gjitha këto veti i kishte profesori.
Tashmë kishte filluar edhe lëvizja për pajtimin e gjaqeve, që ishte domosdoshmëri e kohës, e ku në krye të kësaj nisme ishte Anton Çeta me ndihmën e mijëra aktivistëve nga mbarë Kosova. Profesor Eshrefi dha një ndihmesë të madhe në këtë, dhe mori pjesë në shumë tubime për faljen e gjaqeve, sidomos në Zhur dhe rrethinë. Kishte autoritetin, guximin, urtësinë dhe sinqeritetin. Ishte i afërt me njerëz, komunikativ dhe edhe çështjet më të ndërlikuara në marëdhëniet ndërnjerëzore, kishte aftësinë që t’i rregullonte. Kemi patur fatin historik që edhe ne të ishim pjesë e kësaj lëvizjeje gjithëpopullore ku u falën mijëra gjaqe në mbarë Kosovën. Ishte një ogur i mirë, Kosova kishte potencial të madh njerëzor, ajo mund të mbijetonte.
Falja e gjaqeve ishte kapitulli më i ri në historinë e Kosovës. I treguam botës se sa të organizuar jemi. Kjo ishte faqja më e ndritur në mbamendjen tonë kombëtare. Profesor Eshrefi dhe të tjerët, ishin dishepujt e parë që përhapën lajmin se kishte filluar një erë e re në tokën e shenjtë të Kosovës. Zari ishte hedhur më. Kosova kurrë më me Serbinë.
Janë të shumta edhe intervistat dhe prononcimet që dha profesori nëpër gazeta dhe media, ku me fakte, dëshmi dhe përpikëri dëshmoi për dhunën sistematike që i bëhej popullatës nga regjimi vrastar serb.
Ne kemi patur fatin që të takoheshim shumë herë me profesor Eshrefin, të merrnim këshilla, vërejtje si dhe udhëzime nga ai. Takimet me të ishin shumë të rëndësishme, edhe pse ndonjëherë të vështira, sepse ishte i pakompromis kur shihte se punët po çalonin. Kur takimet tona ishin të lira, pa protokoll, atëherë kishim përballë njeriun me zemër të madhe që të bënte për vete, dhe kënaqej kur rrëfenim për “prapësitë” tona që bënim ndonjëherë. Qeshja e tij ishte kumbuese, plot jetë.
Viti 1994, për profesorin ishte vit i trishtë, pasi e kishte kapluar sëmundja e rëndë, edhe pse ai kishte shpresën se do të kishte shërim. Shkon për shërim në Esen të Gjermanisë , e ne ishim këtu me lutjet për shërimin e tij. Vepra e tij mbeti përjetësisht ndër ne, me porosinë se sa dhe si duhet të ruhen vlerat njerëzore, shkencore dhe kombëtare. Gjurmët e tij do të ruhen ndër breza, derisa të krijohet legjenda, ku do të thuhej se ne e kishim njëherë një Akademik që e deshi shumë popullin e tij…
Mirënjohje të veçantë pedagogut, Skender Susurit, që me përkushtim hartoi monografinë për jetën dhe veprën e profesor Eshref Ademajt!
Faleminderit shumë familjes së profesor Eshrefit, që me bujarinë e tyre na kanë pritur në shtëpinë e tyre në Prishtinë e Zhur!
Faleminderit posaçërisht znj.Rexhbije, mësuese dhe grua fisnike që ishte pjesë e pandashme e rrugëtimit jetësor të profesor Eshrefit! Faleminderit profesor për trashëgiminë që na le pas!