Trashëgimia e Prof. Eshref Ademaj
Hyrje
Përkujtimi i një personaliteti të madh në fushën e shkencës dhe jetës shoqërore çfarë ishte prof. Eshref Ademaj të krijon emocion dhe të eksiton e frustron për fatin e mirë që pata, respektivisht patëm ta njihnim dhe të bashkëpunonim. Tryeza e sotme pa dyshim se përbën një moment reflektimi për kontributet e shumta të profesor Eshrefit, si në nivel akademik ashtu edhe profesional, në të cilat ka lënë gjurmë të thella në shoqërinë tonë në përgjithësi.
Jeta dhe Arsimi i Prof. Eshref Ademaj
Prof. Ademaj lindi në Zhur të Prizrenit para plotë 84 vjetëve dhe zhvilloi një karrierë të shkëlqyer në fushën e shkencave natyrore. Studimet e tij i filloi në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore në Prishtinë dhe më pas i vazhdoi në Universitetet e Beogradit, Zagrebit, Colchester, Moskë, Heidelberg etj. për tu specializuar në fusha specifike si: algjebra, teoria e grupeve të pafundme, teoria e grupeve të fundme të thjeshta, gjeometria e fundme dhe kombinatorika.
Përmes përkushtimit të tij të palodhur ndaj shkencës dhe studentëve, Prof. Ademaj u bë një shembull frymëzimi për breza të tërë. Prof. Eshref Ademaj na la një trashëgimi të pasur, jo vetëm në kuptimin akademik, por edhe në atë njerëzor. Ai ishte një njeri i pasionuar pas dijes dhe përparimit të shoqërisë, dhe ky përkushtim do të kujtohet për shumë vite në vijim.
Në shekullin e kaluar, respektivisht gjatë viteve 89-92, sidomos, i ra për hise Profesorit tonë që përveç shkencës, të merret drejtpërdrejt edhe me organizimet e protestave të profesorëve të Universitetit të Prishtinës dhe studentëve.
Si njëri nga ish studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe themeluesit e aktivistët të Unionit të Pavarur të Studentëve, pata privilegj ta takoja shumë herë dhe të bashkëpunoja me Prof. Eshrefin. Takimet tona fillimisht i mbanim në një zyrë të vogël në Dardani, ku profesor Xhaferi (Fak. Teknik) nga sindikata e profesorëve të universitetit na mblidhte. Aty diskutonim gjerë e gjatë mbi gjithë situatën në Universitetin tonë, mbi organizimin e studentëve, reagimet tona karshi situatës së përgjithshme në vend.
Në fillim nuk e njihja dhe nuk e dija se vinte nga Zhuri i Prizrenit. Por madhështia e tij qëndronte në vetë urtinë e tij. Ai jo vetëm se ishte pedagog ynë, por sillej edhe si prind, edhe si shoq, edhe bashkëbisedues i pa shoq.
Masat e dhunshme të pushtetit okupues u vendosën më 08. 08. 1990 dhe ne, studentët e mjekësisë mbetëm në masë të madhe pa ligjërata, pa ushtrime dhe pa profesorë. Te prof Ademaj gjenim mbështetjen dhe këshillën për hapat që do të ndërmerrnim.
Natyrisht nuk vonoi shumë dhe më 1991 gjithë Universiteti u nxor jashtë objekteve të veta, u nxor në rrugë. Në qershor të vitit 1991 organizuam protestën në Fakultetin Teknik, po të njëjtën ditë kur Sllovenia po ndahej nga ish Jugosllavia. Masa e madhe e studentëve ishim mbledhur në holin e këtij Fakulteti dhe bëmë një klasë ku konsultoheshim. Aty kishim atëbotë vetë këta profesor që na shoqëronin dhe nuk na linin vetëm: Eshref Ademaj, Sami Peja dhe Muhamet Mehmeti. U rrethuam nga njësitë speciale dhe vetëm rreth orës 22 arritëm të dilnim nga ky rrethim i zi. Profesori nuk na u nda për asnjë moment, asnjë çast vetëm nuk na la.
Në vitin 1991, para fillimit të vitit akademik 91/92 filluam organizimin e Universitetit për punë jashtë objekteve të uzurpuara. Profesori ishte ne ballë të këtij organizimi. Ishte rektor, ishte punëtor i drejtpërdrejtë, ishte i pandalshëm.
Ai dha gjithë energjinë për punën e Universitetit. Si udhëheqës i Shoqatës së pavarur të Profesorëve të universitetit, na bashkoi të gjithëve, profesorë dhe studentë, sindikatë dhe zëra tjerë në të mirën e universitetit dhe shkencës.
Modestia e profesorit ishte e pashoqe. Në takimin e ‘Kuvendit të Universitetit’ në barakat e Sindikatës, kur tashmë pa viheshin themelet e organizimit të tij, natyrshëm nxorëm propozimin për rektor të universitetit. …Dhe kujt më shumë i takonte kjo detyrë dhe përgjegjësi se sa profesor Eshref Adenajt. Ai ishte në ballë të këtyre proceseve, por jo, ai dha arsyet e tija dhe propozoi atëherë prof. Ejup Statovcin.
Në një vizitë që bëmë në vitin 1991 në Zagreb dhe Ljublanë një grup i studentëve të mjekësisë, takuam edhe prof Shepareviq, rektor i Universitetit të Zagrebit, i cili na foli me vlerësim të lartë për profesor Eshrefin. Ai recidivi na tha se, po citoj, “ju në Kosovë keni dy njerëz të mëdhenj të shkencës dhe jetës shoqërore’ dhe njëri prej tyre ishte vetë prof Ademaj.
Unë s’mund të flas për kontributin shkencor të profesorit në lëminë e shkencave matematikore, por natyrisht kompetentët e vlerësojnë lart dhe të rëndësishme vlerën e punës shkencore të tij. Kjo duhet të jetë udhërrëfyes për shkencëtarët e ardhshëm të këtij vendi në këtë fushë.
Takimi i sotëm për të kujtuar dhe vlerësuar veprën dhe angazhimin e prof. Ademajt, ka peshën e vetë të madhe, sepse popujt që kujtojnë dhe përsërisin vlerat e veta, nuk treten. Kontributet e tij do të mbeten një frymëzim për të gjithë ata që kërkojnë të bëjnë një ndryshim në shoqëri përmes shkencës, arsimit dhe aktivimit qytetarë.
Në sot, këtë tryezë shkencore përkujtimore, le të reflektojmë mbi rëndësinë e punës së tij dhe të angazhohemi për të vazhduar në rrugën e tij.
Kontributi i Prof. Eshref Ademaj nuk është vetëm një kujtim, por një thirrje për të gjithë ne që të punojmë për një të ardhme më të mirë.