Institutieps

Skender Susuri & Hasan Morina, Shkollat – tendë në Kukës të Shqipërisë 1999 (mbështetja psiko-sociale e fëmijëve refugjatë)

Shkollat – tendë në Kukës të Shqipërisë 1999 (mbështetja psiko-sociale e fëmijëve refugjatë)

1.Dëbimi i popullatës civile dhe kampet e refugjatëve në Kukës

Synim kryesor i politikës dhe i makinerisë ushtarake serbe e pastaj edhe jugosllave, në të gjitha periudhat kohore, ka qenë sllavizimi i Kosovës. Në periudha të caktuara kohore ky proces ka njohur herë ngadalësime e herë përshpejtime, varësisht nga rrethanat politike, shoqërore dhe zhvillimet e kohës,  por si proces shovinist dhe kolonizues nuk ishte ndalur asnjëherë.  

Në periudhën mars – qershor 1999, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe paralelisht me djegiet, shkatërrimet, vjedhjet, dhunimet dhe masakrimet e shumta të popullsisë civile shqiptare, dëbuan me dhunë nga Kosova rreth një milion shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë si refugjatë në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi. Sigurisht në mesin e popullatës civile kishe një numër shumë të madh të fëmijëve.

Të deportuarit shqiptarë në pikën kufitare të Vërmicës-Morinit, fillimisht u vendosën në qytetin më të afërt kufitar të Shqipërisë, në Kukës. Sipas të dhënave të organizatave të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore, atë kohë në Kukës, llogaritet  se kishin qëndruar  diku rreth tetëqindëmijë (800.000) refugjatë shqiptarë, një pjesë e tyre kishte lëvizur më pastaj për në  qytete e tjera të Shqipërisë, ndërsa në vetë qytetin e Kukësit dhe rrethinat e tij vlerësohet të kishin mbetur diku afër katërqindëmijë (400.000) refugjatë. Popullata shqiptare e dëbuar u vendos në kampet e ngritura nga organizatat ndërkombëtare humanitare dhe shtetit shqiptar. Një pjesë e konsiderueshme gjetën strehim dhe mirëpritje edhe në familjet lumjane në Kukës dhe fshatrat e tij. Mirëpritja e asaj kohe ishte një shembull i jashtëzakonshëm i humanizmit në përmasa botërore, duke treguar solidaritet të jashtëzakonshëm, duke ofruar ndihmë dhe strehim për të gjithë ata që ishin në nevojë. Në qytetin e Kukësit ishin ngritur dhjetëra kampe për të siguruar strehim dhe gjërat elementare për të gjithë të dëbuarit nga Kosova, të cilët kalonin nga pika kufitare e Vërmicës-Morinit.

Kampet e ngritura / Kukës 1999
NrEmërtimiVendiNumri i refugjatëve
1Kampi i EBA-sëGostil9.776
2Kampi UNHCR-sëGostil3.410
3Kampi Italian 1Rexhepaj6.230
4Kampi Italian 2Kukës5.800
5Kampi i bashkisëKukës2.510
6Kampi KapanamurKukës1.300
7Kampi tek Këndi i lojraveKukës1.600
8Kampi tek Parku i riKukës3.600
9Kampet totalRrethi Kukës34.216

Nuk duhet harruar se:

  • Gjatë Luftës së vitit 1998/1999 të paktën 89 fëmijë ishin viktima të drejtpërdrejta kësaj lufte përkatësish u vranë;
  • Shumë fëmijë të tjerë u plagosën në sulmet e forcave kriminale serbe, disa prej tyre me pasoja të përhershme, si humbja e anëve të trupit, verbimi, ose dëmtime të tjera të rënda fizike dhe mendore;
  • Lufta çoi në zhvendosjen masive të popullsisë civile. Qindra mijëra fëmijë dhe familje u detyruan t’i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim në kampe refugjatësh ose në shtetet fqinje. Kjo shkaktoi trauma psikologjike për fëmijët, pasi ata humbën jo vetëm shtëpitë e tyre, por edhe çdo lidhje me jetën e mëparshme;
  • Fëmijë, e kishin të vështirë t’i kuptonin pasojat e luftës, ishin të prekur nga humbja e familjarëve, shokëve dhe mungesa e  sigurisë. Shumë fëmijë humbën njërin ose të dy prindërit e tyre. Shkatërrim i strukturave familjare solli pasiguri të mëtejshme për fëmijët, duke i lënë ata pa mbështetje socio-emocionale dhe materiale.

Të gjitha këto vuajtje, përjetime, ekspozime të fëmijëve ndikuan në gjendjen e tyre shpirtërore, emocionale dhe sociale. Tek fëmijët mbretëronte frika, ankthi dhe psikoza e luftës sepse ata ishin të ekspozuar ndaj ngjarjeve jashtëzakonisht të dhimbshme, të tmerrshme dhe të frikshme, siç ishin veprimet kriminale të forcave serbe ndaj popullatës civile shqiptare (kujtojmë vetëm në Rajonin e Prizrenit: masakrat në fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, Celinë, Landovicë, Korishë, Randobravë, Tusuz (Lagja e Trimave), Mamushë, Lugishtë e Hasit, Masakrat në fshatrat e tjera të Hasit, Vërrinit etj.   

2. Shkollat – tendë / organizimi dhe funksionimi

Një organizim më shumë se madhor dhe fisnik padyshim mbetet ofrimi i aktiviteteve psiko-sociale në mbështetje të shëndetit mendor dhe psiko-social të fëmijëve refugjatë përmes organizimit dhe funksionimit të shkollës-tendë. 

Shoqatat e ndryshme humanitare ndërkombëtare të cilat kishin ardhur në Kukës dhe autoritetet vendore në Kukës, për të ofruar mbështetje psiko-sociale, ndjenjen e sigurisë dhe të kujdesit ndaj fëmijëve refugjatë, arritën të organizonin dhe funksionalizonin shkollat – tendë. Arritën të  sigurojnë një sasi të konsiderueshme të materialit të nevojshëm didaktikë (fletore, lapsa, çanta, mjete mësimore të konkretizimit etj).

Sipas autoriteteve shqiptare në Shqipëri ishin hapur 36 shkolla verore/argëtuese, ku mësues, punëtor dhe njohës të edukimit psiko-social, vendas dhe kosovarë u angazhuan për mbështetjen psiko-sociale të një numri të madh të fëmijëve të traumatizuar. Numri i fëmijëve refugjatë të cilët përfituan nga këto shërbime arrin afërsisht në katërdhjetëmijë (40000.00). 

Ndërsa një pjesë e fëmijëve refugjatë i vijuan mësimet në shkollat publike të Kukësit dhe të fshatarve të këtij rrethi. Këta nxënës treguan rezultate shumë të mira në procesin mësimor dhe ishin të pritur miqësisht nga nxënësit dhe mësimdhënësit e tyre. Të tilla angazhime të autoriteteve shqiptare pati në të gjitha qytetet ku kishte fëmijë refugjatë.

3. Mbështetje psiko-sociale për fëmijët refugjatë në shkollat – tendë

Luftrat në përgjithësi kanë ndikime të thella dhe të gjata tek të gjithë, në veçanti tek fëmijët, duke përfshirë rritjen e psikozës së frikës, ankthin, përjetimin e traumave, çrregullime të tjera  psikike, sociale, emocionale si dhe ndikime të tjera negative zhvillimore – shëndetësore.

Për t’i adresuar dhe minimizuar këto pasojat, është e rëndësishme që fëmijët të kenë mbështetje psikologjike dhe të rivendosin një ndjenjë sigurie dhe normaliteti. Kjo sigurisht nuk është as e lehtë dhe as e menjëhershme. Kjo mbështetje arrihet përmes krijimit të një mjedisi të sigurt dhe mbështetës, ofrimit të shërbimeve psiko-sociale.

Në ofrimin e mbështetjes psiko-sociale të fëmijëve refugjatë u angazhuan organizimet dhe shoqatat e huaja dhe autoritetet shqiptare lokale të kohës në Kukës. Gjithashtu nuk mungoi angazhimi dhe kontributi i mësuesve të Kosovës si dhe gatishmëria e prindërve për të mbështetur fëmijët e tyre në shkollat-tendë. dhe shoqatat të cilat ofronin shërbime të ndryshme psiko-sociale.

Shkollat – tendë padyshim kishin një kontribut të jashtëzakonshëm në ofrimin e mbështetjes psiko – sociale dhe ofrimin e ndjenjeës së sigurisë dhe mbështetjes për fëmijët refugjatë.

Shkolla shqipe në tendë (shkolla-tendë) dhe mbështetja të cilën e morrën fëmjët refugjatë nga ekspertët e huaj, ekspertët shqiptar dhe mësimdhënësit refugjatë të Kosovës, ishte një organizim i jashtëzakonshëm dhe i cili kontribuoj në zvogëlimin e dhimbjeve dhe traumave nëpër të cilat kishin kaluar këta fëmijë, duke e përjetuar dhe parë me sytë e tyre dhunën dhe terrorin policor dhe ushtarak serb mbi popullatën civile përkatësisht familjet dhe të afërmit e tyre. Fëmijët ishin të traumatizuar, kishin frikë dhe ankth dhe ishte e domosdoshme mbështetje psikologjike, emocionale e tyre. Këtë mbështetje kush mund ta ofronte më mirë se mësuesit  e tyre në shkollat-tendë.

Një shtëpi e verdhë e përpirë nga flakët ka zënë një fletë A4. Gjuhëzat e kuqe të zjarrit dhe shtëllungat e zeza duket se i kalojnë qoshet e fletës. Tri shtëpi të tjera janë shkrumbuar. Pemët nuk janë më jeshile dhe degët e tyre nuk sheh më asnjë gjethe. I ngjajnë një dimri të ftohtë trupat e tharë. Çatitë e kullave kanë rënë dhe në vend të tyre shihet e zeza e boshit. Oborri i madh ka bar të djegur. Kanë lënë pas ëndrrat e thyera e janë nisur me rrobat e trupit pa e ditur se ku po shkojnë. Kanë ikur nga sytë këmbët vetëm për të ikur. Kosovë, 1999[1].

Këto janë veçse dy prej vizatimeve të fëmijëve të luftës. Janë fëmijët që e i lanë shtëpitë në mesnatë, sepse fshati përpihej nga flakët dhe krismat dëgjoheshin nga çdo anë. I zgjuan dhe i nxorën prej krevateve të ngrohta, e rrugës nga iknin prej aty, shihnin tmerret e luftës. Flakë e zjarr, armë e krisma. Shkretimi i shtëpive linte pas jehonën e të qarave. Vizatojnë fytyra të përlotura, që të shohin në sy. Vizatojnë dhimbjen që njohën në moshë të njomë. Vizatojnë të vetmen botë që mbajnë mend, sepse e gjithë ç’dinin para saj është fshirë, siç fshin një dhembje e madhe çdo gëzim të vogël”[2].

Mësuesit në shkollat-tendë edhe pse në rrethana dhe kushte të jashtëzakonshme, arritën t’i përmbushin qëllimet më bazike, më thelbësore të këtyre shkollave, atë të:

  • Ofrimit të mbështetjes psiko-sociale, përmes aktiviteteve mësimore dhe zbavitëse të fokusuara tek e ardhmja;
  • Ofrimit të ndjenjës së sigurisë për fëmijët;

Shkollat-tendë nga ana e fëmijëve refugjatë u perceptuan si mjedise ku ata ndiheshin të sigurt, të mbrojtur nga çdo lloj dhune dhe terrori, të mirëpritur dhe të vlerësuar.  

Përkundër se shkollat-tendë nuk kishte një program mësimor të ckatuar dhe të njësuar,  mësimdhënësit ishin të përkushtuar dhe planifikonin aktivitete mësimore dhe argëtuese duke u mbështetur në përvojën e tyre vetanake dhe në interesimet e fëmijëve.

Gjithashtu duhet kujtuar se fëmijët në shkollat-tendë ishin të moshave të ndryshme, aty ku kishte mundësi dhe interesim të shtuar të fëmijëve për vijimin e mësimeve, ndarja e tyre bëhej jo sipas klasave por sipas nivelit të shkollimit (niveli klasor, klasa e parë e gjerë në klasën e IV dhe niveli lëndor përkatësisht klasa e V e gjerë në klasën e VIII). 

Për tu bërë fëmijëve pjesëmarrjen në shkolla-tëndë më nxitëse dhe motivuese, krahas ofrimit të aktiviteteve psiko-sociale, mësuesit i kushtonin më shumë kohë aktiviteteve mësimore nga gjuha shqipe dhe letërsia, muzika, arti figurativë, edukimi fizikë e shëndetësor dhe hera herës edhe nga matematika apo ndonjë lëndë tjetër mësimore, pra zhvillohej një proces mësimor i thjeshtëzuar.

Për arsye të krijimit të rrethanave shumë të rënduara në qytetin e Kukësit, nga fluksi i madh i refugjatëve,  mungesës së theksuar të infrastrukturës shkollore, buxhetit të limituar të nivelit vendor, zhvillimeve luftarake në vijat e frontit dhe angazhimit të një pjesë të popullatës në radhët e UÇK-së dhe problematikave të tjera ekzistenciale të kohës, nuk mund të pritej një organizim më ndryshe për vazhdimin e mësimeve për fëmijët refugjatë.  Shkollat – tendë funksionuan gjatë periudhës kohore prill – maj 1999.

Pavarësisht organizimit, kohëzgjatjes dhe kushteve të punës në shkollat-tendë, ato mbeten institucione të rëndësishme edukative-arsimore dhe dëshmojnë për përkushtimin dhe angazhimin e shqiptarëve të Kosovës për shkollën shqipe edhe në rrethana lufte, njëkohësisht ato duhet parë dhe vlerësuar si vazhdimësi e sistemit arsimor paralel shqiptar në Kosovë.  

4. Përgatitjet për funksionimin e Shkollës verore

Krahas funksionimit të shkollës-tendë, për fëmijët refugjatë nëpër të gjitha kampet e refugjatëve në Kukës, autoritetet vendore në bashkëpunim me autoritetet dhe mësuesit nga Kosova, kishin bërë përpjekje për krijimin e kushteve për të përfshirë të gjithë fëmijët / nxënësit refugjatë në kuadër të një sistemi arsimor të ideuar vetëm për këta fëmijë, përmes programit të “Shkollës verore”.

Kjo shkollë ishte menduar të fillone së funksionuari në muajt qershor-korrik dhe gusht (1999), në mënyrë që të sigurohej vijimësia e shkollës shqipe për fëmijët refugjatë dhe përfundimi i vitit shkollor 1998/1999.  Kjo ishte e vetmja mënyrë sepse objektet shkollor në Kukës nuk kishin mundësi fizike (hapësira) dhe të tjera të përfshinin fëmijët/nxënësit refugjatë në kadër të sisitemit të rregulltë mësimor me nxënësit kuksjan.  

Sipas një vlerësimi të autoriteteve lokale të Kukësit, i cili vlerësim ishte bërë për organizimin dhe funksionimin e shkollës verore për nxënësit refugjatë, ishin evidentuar 12700 nxënës refugjatë të nivelit fillor. (kl.I-VIII) të cilët duhej t’i vijonin mësimet në këtë shkollë. Gjithashtu ishin siguruar objektet shkollore dhe mjetet didaktike-mësimore, invetari shkollor etj.

Për fat të mirë, pas bombardimeve 78 ditore të forcave të NATO-së dhe luftës heroike të UÇK-së, Serbia përfundimisht u dëbua nga Kosova dhe të gjithë refugjatët u kthyen në shtëpitë e tyre.

5. Rifillimi i procesit edukativ-arsimor pas përfundimit të Luftës

Pas 78 ditë bombardimesh të pandërprera të forcave të NATO-së, dhe luftës heroike të UÇK-së, forcat policore – ushtarake serbe u detyruan të largohen nga Kosova dhe të pranojnë humbjen e tyre. Në qeshor të vitit 1999 në Kosovë vendosen forcat ushtarake të NATO-së dhe shërbimi civil administrativ i OKB-së, i njohur me emrin UNMIK-u.

Në korrik të vitit 1999 në Prishtinë formohet Qeveria e Përkohshme e Kosovës, në kuadër të saj edhe Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Kjo ministri përgatiti programin për përfundimin e vitit shkollor të ndërprer 1998/99 dhe bëri pergatitjet e duhura për fillimin e vitit te ri shkollor 1999/2000.

Ministria e Arsmit dhe e Shkencës e Republikës së Kosovës pa humbur kohë nxjerr Vendimin nr.2/99 të datës 9 korrik 1999 me qellim të përfundimit legjitim dhe të sukseshëm të vitit shkollor 1998/99 dhe të fillimit të vitit të ri shkollor 1999/2000. Sipas këtij Vendimi shkollat fillore dhe të mesme, të cilat e kishin filluar vitin shkollor 1998/99, në shtator 1998 dhe e kishin  ndërprerë për shkak të luftës në mars 1999, procesin edukativ-arsimor e vazhdojnë nga data 1 shtator e gjerë më 30 tetor 1999. Nxënësit e klasave – përfundimtare (kl.VIII shkolla fillore dhe kl.III dhe IV të shkollave të mesme) mësimin e vazhdojnë nga data 1 shtator e gjerë më 15 tetor 1999.

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Kosovës në korrik te vitit 1999 gjithashtu nxjerri edhe vendime dhe udhezime të tjera të nevojshme për fillimin sa më të suksesshëm të procesit edukativ-arsimor në shkollat e Kosovës:

  • Vendimin nr.07-09/99 të datës 22.07.1999 – nostrifikimi i dëftesave  të nxënësve të shkollës fillore dhe të mesme të Kosovës, të cilët për shkaqe të luftës i vijuan mësimet në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi.
  • Vendimin nr.07-10/99 të datës 22.07.1999 – dokumentacioni pedagogjik-shkollor i asgjësuar nga lufta,
  • Udhëzimin për përgatitjet e institucioneve edukativo-arsimore për vitin e ri shkollor dhe akademik 1999/2000, të datës 23 korrik 1999 dhe shumë vendime dhe udhëzime të tjera administrative.

Të gjitha vendimet në fjalë dhe shumë të tjera kontribuan në fillimin e procesit të rimkëmbjes të arsimit shqip në Republikën e Kosovës

Procesi i riorganizimit dhe rimkëmbjes së sistemit arsimor në Republikën e Kosovës ishte gjithpërfshirës, krahas normalizimit të procesit mësimor kishte përfshirë edhe ndryshimin e kurrikulit, ndërtimin e godinave shkollore të cilat ishin djegur dhe shkatrruar tërësisht, përtritjen e dokumentacionit shkollor të asgjësuar nga forcat serbe, kompletimin e kuadrit mësimor dhe të tjera.,

Gjithashtu një interesim dhe vëmendje e duhur ju kushtua edhe aktiviteteve psiko-sociale dhe të tjera për fëmijët dhe nxënësit, të cilët kishin pësuar trauma dhe dëmtime të ndryshme psiko – sociale. U zhvilluan shumë aktivitete të drejtëpërdrejta me fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit të organizuara nga autoritetet vendore por edhe organizimet e jashme. Organizatat si UNICEF, Save the Children, dhe Caritas ofruan mbështetje psikologjike për fëmijët përmes grupeve të mbështetjes dhe terapive grupore.

Për të gjithë ishte e veshtirë, në veçanti për familjet të cilat i kishin humbur më të dashurit e tyre. Krimet serbe ishin nga më kriminalet, por jeta duhej vazhduar.

Pas 25 vite pa okupatorin shekullor sllav, Kosova frymon lirshëm, por kjo nuk nënkupton se e shkuara, dhuna, tmerret e shumta të përjetuara janë shlyer, ato jetojnë thellë në shpirtërat e të gjithë atyre të cilët ishin të ekspozuar apo dëshmitar të tyre.

Gjithashtu nuk harrohet kontributi i mësuesve të anagazhuan në shkollat-tendë, kontributi i autoriteteve të Kukësit, të familjeve lumjane dhe organizimeve ndërkombëtare të kohës të cilat vepronin në Kukës dhe organizuan shkollat-tendë.  

Dhuratë nga një shoqe e klasës së shkollës në Kukës, për një nxënëse të Komunës të Prizrenit e cila i kishte vijuar mësimet në një nga shkollat e Qyetit të Kukësit (1999)


[1] Fatmira Nikolli, http:gazeta shqiptare.al /2019/04/18/femijet e luftes vizatimet e vitit 1999

[2] Po aty

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top