Përkujtim për profesorin e nderuar dhe shumë të respektuar Akademik Eshref Ademaj
Nuk është aspak e lehtë, që me pak fjalë, të përmblidhen të gjitha kujtimet e bukura për figurën shumë të çmuar, shumëdimensionale e atdhetare të Prof. Dr. Eshref Ademaj.
Unë, pata fatin me e njohtë për së afërmi profesorin Eshref, qysh nga viti 1979, kur fillova studimet në Fakultetin e Shkencave Matematikore (në Degën e Matematikës), në Prishtinë. Në vitin shkollor 1981/82 pata fatin që të dëgjoj ligjëratat nga lënda Algjebra e përgjithshme, të cilën e ligjëronte ai. Me gjuhën e tij aq të rrjedhshme dhe aftësinë për të na motivuar, na ka dhënë bazat jo vetëm në fushën e matematikës, por edhe në shumë aspekte të ndërtimit të karakterit të individit dhe të dashurisë njerëzore. Profesori Eshref ishte një enciklopedi e vërtetë.
Thëniet e tij tingëllonin si aksioma që përkufizonin përsosmërinë e njeriut, dashurinë ndaj njerëzve dhe dashurinë ndaj kombit dhe Atdheut. Ai ishte shembull i jashtëzakonshëm i pedagogut, intelektualit dhe shkencëtarit. Me anë të ligjëratave të tij brilante në teorinë e grupeve, e të idealeve e sillte në pah tërë mrekullinë dhe artin e matematikës.
Në kohën e lirë profesori Eshref na thoshte: ne e kemi për detyrë që të punojmë shumë më shumë se popujt tjerë, sepse rrethanat historike në të cilat kishte jetuar dhe jetonte populli shqiptar, kanë ndikuar që të mos zhvilloheshim në shkallë të dëshirueshme.
Ne studentët e tij, filluam të kuptonim se, është fjala jo vetëm për një shkencëtar shumë serioz në fushën e algjebrës, por edhe një atdhetar të përkushtuar, e që kjo bindshëm do të shihej në vitet në vazhdim.
Në vitin 1981/82 pas demonstratave radhazi të studentëve për avancimin e të drejtave të popullit shqiptarë të Kosovës, Universiteti i Prishtinës ishte në shënjestër të sulmeve propagandistike dhe të diferencimeve ideo-politike të Serbisë. Një ndër profesorët më të zëshëm dhe më ofanziv kundrejt këtyre sulmeve e padrejtësive ishte edhe profesori Eshref.
Në vitin 1983/84, kur unë isha në vitin e parë të studimeve të magjistraturës në Universitetin e Zagrebit, Nga kontaktet me profesorët e këtij universiteti, mësova më shumë për autoritetin dhe reputacionin që gëzonte profesori Eshref, jo vetëm si shkencëtar, por edhe si dijetar i shumanshëm. Rezultatet e tij, nga disertacioni i doktoratës, në teorinë e grupeve të fundme kishin lënë gjurmë në Universitetin e Zagrebit dhe jo vetëm!
Mund të them lirisht se profesori Eshref për kohën sa kishte studiuar në Zagreb, kishte ndikuar jashtëzakonisht shumë tek intelektualët kroat, në ngritjen e simpatisë për popullin shqiptar të Kosovës.
Në intervalin kohor 1991-98, Universiteti i Prishtinës po përjetonte momentet më të vështira që nga themelimi i tij, sepse në vitin 1991 u mbyll nga organet e dhunshme serbe. Ishte një përjetim jashtëzakonisht i rëndë e i papërshkrueshëm, jo vetëm nga studentët dhe ne që ishim pjesë e universitetit por nga të gjith shqiptarët. Por, ishte Profesori Eshref njëri ndër ideatorët dhe organizatorët kryesorë për vazhdimin e punës të Universitetit të Prishtinës në mënyrë legale dhe institucionale, në objektet private.
Më kujtohet, kur profesori thoshte duhet të angazhohemi e të punojmë shumë, për të kryer detyrimet tona në ngritjen dhe emancipimin e të rinjve shqiptar, pastaj fillonte me përpikëri të jashtëzakonshme të elaboronte rrethanat historike nëpër të cilat kishte kaluar e po kalonte populli i Kosovës. Për përshtypjet e nivelit intelektual që lente, me këdo qe takohej, na bënte të gjithëve te jemi krenar. Të gjithë e respektonin pa dallim.
Profesor Eshref Ademaj, si një intelektual i shquar, pedagog dhe profesor universitar nuk u ndal kurrë së punuari gjer në frymën e fundit të jetës së tij. Pa dyshim, me veprën e tij profesori ynë i nderuar, në aspektin profesional ishte njëri ndër bartësit e të gjitha zhvillimeve të arsimit në përgjithësi dhe të matematikës në veçanti. Në aspektin kombëtar, me punën e palodhshme të tij, gjatë gjithë jetës ishte në nivel të detyrës. Me guximin që kishte, ishte i gatshëm të sfidohej me çfarëdo situate, që shfaqej nga shtypja e egër e rezhimit të Sllobodan Millosheviҁit. Me mprehtësinë e mendjes që kishte, të fascinonte. Thëniet e tij, do të jenë udhërrëfyes jo vetëm për gjeneratën tonë por edhe për gjeneratat që do të vijnë.
Për kontributin e gjithanshëm shkencor, intelektual dhe atë shoqëror, në vitin 1995, personaliteti i profesor Eshrefit hyn në Edicionin e pesëmijë personaliteteve të botës.
Është krenari për familjen Ademaj që na dha figurën e madhe në fushën e dijes e të atdhedashurisë, siç ishte profesor Eshref Ademaj.
Ështe krenari për studentët, kolegët dhe bashkëpunëtorët që e njohën për së afërmi. Është krenari për të gjithë ne që punojmë në fushën e matematikës dhe për të gjithë ata që janë të lidhur në proceset e arsimit në Kosovë. Është krenari për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Prof. Dr. Eshref Ademaj nuk është fizikisht në mesin tonë, por në saje të fushë veprimtarisë së tij është i gjallë për jetë e mot. Ai do të jetojë përgjithmonë në kujtesën tonë dhe në zemrat tona.
Do ta kujtojmë përgjithmonë, me respektin më të madh jetën dhe veprën e profesorit tonë të nderuar e shumë të respektuar.
Lavdi jetës dhe veprës të Prof. Eshref Ademajt.
Më 30.08.2024
Prishtinë