Institutieps

Prof.dr.Qamil Haxhibeqiri, Përkujtim për akademik Eshref Ademajn  (1940 – 1994)

Përkujtim për akademik

Eshref Ademajn  (1940 – 1994)

                                                            Prof.dr.Qamil Haxhibeqiri

                                                   anëtar korrespodent i ASHAK-së 

Përkujtimi i prof. Eshref Ademajt me rastin e 30 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta  nuk është thjeshtë një rast për të ripërtërirë kujtimin e  ndritur për te, që koha s’ka fuqi ta zbehë në mendjen dhe shpirtin e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin e ta çmojnë këtë njeri të mrekullueshëm, por është edhe një përmbushje e një detyrimi për të shprehur nderimin dhe respektin më të madh për trashëgimin e vyer që ai u la brezave, mirënjohjen më të thellë për veprën e tij.

Njëherësh kënaqet edhe një dëshirë e gjithëmbarshme për të ndarë mbresa e  përjetime  që,  padyshim, do ta plotësojnë figurën e tij, e cila është dhe do të  mbetet shëmbëlltyrë e përkryer përkushtimi ndaj idealeve të larta e fisnike.

Në vitin e largët shkollor 1974-75, pas mbarimit të sudimeve pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit, emërohem asistent në Departamentin e Matematikës të FSHMN të Universitetit të Prishtinës. Në ato vite pata fatin ta njihja për herë të parë profesor Eshrefin njohje kjo, që me kalimin e viteve, u shndërrua në miqësi të ndërsjellë. 

Angazhimin e tij që njohuritë matematike t’i bënte sa më të kuptueshme, më të qarta dhe të pranueshme për studentët dhe bashkëpunëtorët e tij, duke mos kursye asgjë  nga mundi dhe koha e tij, i kujtoj gjithnjë me pietet. Si asistent i ri e kam pasur gjithnjë përkrahjen dhe ndihmën e pakursyer të prof.Eshrefit në çdo drejtim. 

Ai pa përtesë dhe me kënaqësi gjente kohë të na ndihmonte në tejkalimin e vështirësive të rastit që na paraqiteshin në atë kohë duke u përgjigjur me mirësi dhe qartësi në pyetjet që i parashtronim.

Interesimi shkencor i prof. Eshrefit ishte nga lëmia e algjebrës, më saktësisht, nga teoria e grupeve të fundme të thjeshta, kombinatorika dhe teoria e bllok-dizajneve. Ai u pajis me njohuri shkencore të fituara në universitetet e njohura, siç janë Universiteti i Zagrebit, Universiteti shtetëror “Lomonosov” i Moskës, Universiteti i Heidelbergut, etj. ku ai qëndroi  gjatë formimit të tij shkencor e profesional.

Është autor i shumë punimeve shkencore të publikuara në revista prestigjioze me recension ndërkombëtar. Po ashtu prof.Eshrefi ishte anëtar i redaksive të revistave “Matematika-Fizika” , “Glasnik Matematiçki” (Zagreb) dhe kryeredaktor i revistës “Punime matematike” (në gjuhë të huaja) e cila këmbehej me shumë revista shkencore nga e gjithë bota.

Ai ishte njëri nga nismëtarët dhe themeluesit e studimeve pasuniversitare në Departamentin e Matematikës të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN) të Prishtinës. Gjatë karierës së tij të bujshme profesionale prof. Eshrefi ushtroi funksione udhëheqëse (prorektor, dekan, prodekan) në institucionet e arsimit të lartë duke kontribuar në mbarëvajtjen e punës shkencore dhe profesionale të atyre institucioneve.

Vend të posaçëm në jetëshkrimin e prof. Eshrefit zen veprimtaria patriotike e atdhetare e tij në ato vite të vështira për arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Kosovë. Ai çdo herë dhe me dinjitet iu kundërvu përpjekjeve nacionaliste dhe shoviniste serbe që për qëllim kishin goditjen e Universitetit të Prishtinës.

Si kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve dhe Punonjësve Shkencorë të Kosovës, ai u gjetë në ballë të rezistencës për ruajtjen e autonomisë të Universitetit të Prishtinës. Ai përmes shkrimeve në organe të ndryshme të shtypit Jugosllav ngriti zërin kundër strategjisë serbe për shkatërrimin e Universitetit të Prishtinës dhe ndalimit të mësimit në gjuhën shqipe nëpër institucionet e arsimit të mesëm dhe të lartë të Kosovës.

Vlen të përmendet organizimi i tubimit madhështor të të gjithë profesorëve universitarë dhe punonjësve shkencorë në qershorin e vitit 1991 organizatori kryesor i të cilit ishte prof. Eshrefi.

Pas dëbimit të profesorëve dhe studentëve shqiptarë nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës, ai ishte ideatori kryesor i organizimit dhe vazhdimit të mësimit nëpër objektet private. Të gjitha aktivitetet prof. Eshrefi i kryente me dinjitet dhe përkushtim të posaçëm, pa marrë parasysh pasojat dhe ndëshkimet nga pushteti  i asaj kohe; gjithnjë qëndroi ballëlartë dhe i paepur.

I pajisur me dije dhe kulturë matematikore të gjërë dhe të thellë, me forma të komunikimit shembullor, gjithnjë rrezatoi energji pozitive  të absorbueshme për të gjithë, e posaçërisht për të rinjtë dhe studentët. Vuri gurëthemelet e matematikës tek ne shqiptarët.

Vepra e tij shkencore u respektua kombëtarisht e ndërkombëta- risht. Krijoi dhe pajisi me kulturë matematike shumë breza të cilët do të  vazhdojnë misionin e rrezatimit  dhe  përhapjes së dijeve matematike nëpër të gjitha viset e banuara me shqiptarë. Si pedagog i mirëfilltë u dëshmua me përpjekjet që matematikën për studentë ta bënte sa më të kuptueshme dhe më të lehtë. Me qëndrim e dashuri prindore ndaj studentëve, parapëlqente jo distancë por afërsi, jo dekret e as imponim por respekt, dashuri dhe përkushtim ndaj problemeve të tyre. 

Profesori Eshref ishte udhërrëfyes dhe edukator i shumë brezave të matematikanëve, ishte fjalëëmbël dhe i afërt me studentët dhe bashkëpunëtorët e tij, punëtor i palodhshëm i cili me  mësimet e tij ngriti gjenerata të tëra  matematikanësh.

Me butësinë e tij me mendjemprehtësinë e tij, me talentin e tij të rrallë ishte shembull se si duhet të dukej intelektuali, profesori e shkencëtari. Të tillë do ta kujtojnë përjetë Profesor Eshrefin  ish-studentët e tij si dhe të gjithë ne që patëm fatin ta njohim dhe të bashkëpunojmë me te.

Prof. Eshrefit një sëmurje tinëzare ia këputi fillin e jetës në kohën kur pritej të realizonte shumë ëndërra e dëshira. Por ai nuk e dha veten, me fuqinë e kurajës së tij të pashembullt e sfidoi sëmundjen dhe lëngimin. Triumfoi mbi vdekjen sepse ajo s’mundi të shtrijë velin e harresës mbi te. Njerëzit si akademik Eshref Ademaj do të rrojnë në kujtesën e kombit si pika të ndritshme të referimit në rrugën e mundimshme të përparimit të tij.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për akademik Eshref Ademajn!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top