Institutieps

Isak Hoxha, Kumtesë shkencore me rastin e përkujtimit të Akademik Eshref Ademaj në përvejtorin e tridhjetë të ndarjes së tij nga jeta

Kumtesë shkencore me rastin e përkujtimit të Akademik Eshref Ademaj në përvejtorin e tridhjetë të ndarjes së tij nga jeta

Në cilësinë e njërit prej kolegëve dhe bashkëpuntorëve më të afërt të prof. Eshrefit, në këtë kumtesë shkencore do t’i evokoj disa momente dhe fakte më domethënëse nga jeta e bujshme e këtij personaliteti të jashtëzakonshëm arsimor, shkencor e kombëtar. Akademik Eshref Ademaj është profesori legjendar i Universitetit të Prishtinës, shkenctari i famshëm, patrioti e atdhetari i devotshëm, strategu dhe arkitekti i mbijetesës së Universitetit të Prishtinës, në kohën e okupimit nga Serbia, kur regjimi barbar e racist i Millosheviqit në vitin 1991 ndaloi punën e tij me vendosjen e masave të dhunshme. Me hapjen e Fakultetit Teknik në Prishtinë në vitin 1965, prof. Eshrefi ishte pranuar asistent për lëndët e Matematikës, ku së bashku me asistentin e lëndëve teknike Fetah Jagxhiu kanë bërë një luftë të pakompromis për afirmimin dhe identitetin kombëtar, me plotë peripeti e pengesa nga kuadrot serbo – malazeze. Me përpjekjet e parreshtura të tyre dhe atyre pak kudrove shqipëtare dhe me mbështetjen e fakorëve politik shqipëtar të kohës mësimi në gjuhën shqipe filloi tek pas themelimit të Universitetit të Prishtinës në vitin 1970, të cilin e lejoi Tito, pas demostratave masive të studentëve të vitit 1968, me kërkesat kryesore për Universitet dhe Republikë.  

Në vitin 1976, profesor Eshrefi nga Fakulteti Teknik, kaloi me punë të rregullt në FSHMN në Seksionin e Matematikës, me qëllimin e vetëm për t’a reformuar Matematikën në nivelin e qendrave të tjera Universitare në ish Jugosllavi. Në këtë mënyrë, menjëherë iu përvjelë punës dhe hapi i parë në këtë drejtim ndodhi, ku me inciativën e tij hapen studimet pasuniversitare në vitin 1977, duke angazhuar profesorë nga vendi dhe jasht vendit në mbatjen e ligjeratave dhe mbrotjen e temave të magjistraturës dhe doktoratës. Figura Madhështore e poliedrike e profesor Eshref Ademaj reflektohej në një personalitet me kulturë të gjithëanshme, në shumë dimensione: në shkencë, letërsi, politikë, art, sport etj. Në shenjë respekti për jetën dhe veprën e profesor Eshref Ademaj është shkruar një monografi për të si dhe shumë shkrime të tjera në shtypin periodik, ditor, javor dhe mujor të kohës, në vend dhe jashtë. 

Personalitete të shumta janë shprehur për Profesor Eshref Ademaj: luftëtar i palëkundur për kauzën e Universitetit dhe tonën në përgjithësi; Si shkencëtar mendja e të cilit bindshëm hyri në shkencën botërore (prof.dr.Ejup Statovci); Intelektual i shquar, shëmbëlltyrë edukative e përkushtuar deri në harrim të vetvetes, për kryerjen e misionit fisnik, figurë qendrore e respektuar e arsimit universitar në Kosovë, njëri nga gurëthemelet e ngritjes së UP-së në një institucion me reputacion të merituar, kërkues, hulumtues i shquar në matematikë me prestigj kombëtar dhe ndërkombëtar. Në fushën e zbulimeve të “Grupeve të fundme”, si një lëmi më interesante e shekullit tonë, ishte bërë emër dinjitoz, që nderon shkencën tonë kombëtare… (profesorët e Universitetit të Tiranës: Petraq Pilika, Petrit Skendo, Aleko Minga, Osman Kraja (ish Rektor), Mina Naqo, Petraq Petro). Në matrialet e shtypit të përditshëm të viteve të nëntëdhjeta figurojnë shkrime e artikuj të shumtë. Po i përmendim disa nga titujt e tyre: Njeriu që e rilindi Universitetin; Luftëtar modern për të drejtat e njeriut; Ai e shpinte kohën andej nga duhej… 

Profesori i Universitetit të Prishtinës Dali Emërllahu, me rastin e 20 vjetorit të Kuvendit të UP-së, në shkrimin me titullin: “Kuvendi historik i Universitetit të Prishtinës”, shkëput disa dromca nga e kaluara dramatike e UP-së në vitet e nëntëdhjeta. “Dihet mirëfilli, se n’ato kohë tejet të vështira, promotor i rezistencës për mbrojtjen e shkollës shqipe në tërësi, përkatësisht faktor krucial, për intensifikimin e daljes së UP-së nga kthetrat etnocide, ultranacionaliste serbomëdha ishte Shoqata e Arsimtareve Universitarë dhe e Punëtorëve të tjerë Shkencorë të Kosovës, e prirë nga Kolosi, kryetari legjendar i këtij asociacioni Prof. Dr. Eshref Ademaj, (më vonë Akademik).  

Në këtë kontekst, Prof. Dr. Eshref Ademaj (për ato kohëra tejet të vështira) bëri të pamundshmen, të mundshme: me përkushtimin e tij (me peripeci e sfida të mëdha, me rreziqe personale e familjare) u shpallë konkursi (qershor 1991) për regjistrimin e studentëve të rinj shqiptarë, për vitin akademik 1991/92 në UP. Prof. Dr. Eshref Ademaj, ndërkohë do të deklarojë: Ne nuk do të heqim dorë nga Universiteti; dhe nëse nuk ia arrijmë qëllimit me paqe, atëherë do t’i përgjigjemi dhunës me dhunë; Kjo do të ndodhë nga vetë populli… (nga “Bota e re”, gazetë e studentëve, 3.08.1991) 

Profesor Eshref Ademaj doli në skenën politike pikërisht atëherë kur Kosovës i nevojitej më së shumti. Serbia, në marsin e vitit 1989, rrënoi autonominë e Kosovës me masa të dhunshme policore dhe ushtarake. Populli i Kosovës e kundërshtoi suprimimin e autonomisë me protesta e demostrata masive, ku pati edhe viktima. Në këto zhvillime dramatike të ngjarjeve në Kosovë prof. Eshrefi qëndroi në ballë të formave të ndryshme të rezistencës për mbrojtjen e vlerave kombëtare, duke reaguar dhe alarmuar opinionin vendor e ndërkombëtar përmes shkresave dhe publikimeve në vend dhe jasht vendit, nga pozita e kryetarit të Shoqatës së Pavarur së Arsimtarëve Universitar. Në fillim të shtatorit të vitit 1991, policia dhe ushtria serbe u pozicionuan para objekteve shkollore dhe universitare duke bllokuar procesin mësimor.  

Për të shpëtuar Shkollën shqipe dhe Universitetin, u formua Këshilli koordinues në krye me profesorin Fehmi Agani, për organizmin e mësimit nëpër objekte të shtëpive private. Prof. Eshrefi me bashkëpuntorët e tij hartuan planin e rifillimit dhe mbijetesës së Universitetit, që filloi punën në fillim të vitit 1992.  Prof. Eshref Ademaj, nga qershori i vitit 1991, kur masat e dhunshme u futën në tërë Universitetin e deri në zgjedhjet e nëntorit të njejtit vit, kryente detyrat e Rektorit të përkohëshëm në Universitet. Ai këshillonte, udhëzonte, drejtonte dhe emëronte përgjegjësitë dhe detyrat për ҫdo veprim. Pasi policia serbe ndaloi hyrjen e tij në Universitet vazhdoi aktivitetin në banesën e tij, me takimet dhe mbledhjet ku merreshin vendime për Universitetin. 

Data 26 nëntor e vitit 1991, është një datë historike për Universitetin e Prishtinës, kur Kuvendi i atëhershëm (Senati) i Universitetit, vendosi që Universiteti përfundimisht të vazhdoj punën si Universitet i pavarur, i shkëputur nga kthetrat hegjemoniste të Serbisë, në prag të shkatërrimit të tij. Pikërisht, ky ishte momenti kyq kur Universiteti u shpëtua nga shthuarja e tij, ku promotor i tërë aktivitetit për rilindjen e Universitetit ishte Shoqata e Pavarur e Arsimtarëve Universitarë me në krye me prof. Eshref Ademaj, me ҫ’rast u zgjodhën organet drejtuese të Universitetit: Rektor i UP-së u zgjodh prof. Dr. Ejup Statovci, Prorektorë: prof. Dr. Eshref Ademaj, prof. Dr Selman Bryma. Në një distancë kohore prej më tepër se tri dekadash, për hir të trashëgimisë historike, për brezat e ardhshëm, nuk mund të anashkalohet pyetja: se si ndodhi që në mbledhjen historike të Kuvendit të UP-së, më 26 nëntor të vitit 1991, lideri kryesor i zhvillimeve dramatike të Universitetit, Prof. Dr. Eshref Ademaj nuk u zgjodh në postin e Rektorit, edhe pse në mbledhjet përgatitore të Këshillit Koordinues ishte formuar qëndrimi që Rektor i UP-së të zgjedhet Prof. Dr. E. Ademaj.  

Në Kuvendin zgjedhor të 26.11.1991, krejt papritmas ndodhi moszgjedhja e tij për rektor Univesiteti. Natyrisht që ‘moszgjedhja për rektor Universiteti nuk ishte e rastësishme. Ajo ishte parapërgatitur dhe koordinuar nga grupi i votuesish, të cilët nuk kishin guximin të ndiqnin rrugëtimin e rezistencës aktive të Prof. Ademaj, i cili publikisht kishte deklaruar në media, që ”Dhunës do t’i përgjigjemi me dhunë, kjo do të ndodhë nga vet populli” Duhet theksuar faktin që, koordinatat e strategjisë vepruese të prof. Eshref Ademaj, dallonin në disa pika nga koordinatat e doktrinës paqësore të konjukturës politike ditore. Prof. E. Ademaj në këto rrethana aspak të hijeshme dhe revanshuese ndaj personalitetit të tij, për hir të autoritetit të Universitetit dhe vlerave kombëtare, e pranoi postin e Prorektorit të UP-së me një ndjenjë të lartë atdhedashurie, vetëm e vetëm që të ruhet uniteti i Universitetit dhe i Shtetit. Bashkëpunonte ngushtë me Rektorin e porsazgjedhur Prof. Dr. Ejup Statovci, me të cilin njiheshin kaherë dhe ishin miq të afërt, që nga koha e themelimit të Universitetit dhe bashkëvepruan.  

Akademik Eshref Ademaj la pas veti një trashëgimi monumentale për Universitetin dhe shoqërinë tonë.  

Lavdi e përjetëshme për jetën dhe veprën e Akademik Eshref Ademaj. 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top