Universiteti i Prishtinës për nga mosha është relativisht i ri. Ky Universitet ishte dhe mbeti institucioni më i rëndësishëm arsimor, shkencor e kulturor në Kosovë dhe më gjerë, për shqiptarët që jetonin në ish-Jugosllavi. Universiteti i Prishtinës shquhet edhe për nga zhvillimi i hovshëm dhe i shumanshëm i tij. Në dhjetvjetshin e parë pati një ngritje të madhe, sa nuk mund t’ia gjesh shoqin. Mirëpo, kjo rritë dhe punë e suksesshme e tij u bë halë në sy e qarqeve antishqiptare e shoveniste serbe.
Gjendja në Universitetin e Prishtinës u keqësua dukshëm pas vitit 1981, ndërsa mori trajtën e gjenocidit, pas aplikimit të masave të dhunshme. Filloi në Fakultetin e Mjekësisë (1990), për të vazhduar në Rektorat dhe në gjithë Universitetin (1991). Masat e dhunës që janë zbatuar me këtë rast si dhe veprimtaritë e tërësishme të ndërrmarra janë të papara dhe unikate në botë. Masat e përkohshme” (të dhunshme) të vendosura nga ana e Kuvendit të Serbisë të datës 27.06.1991, ishin antikushtetuese e antiligjore. Ato ishin marrë nga një Kuvend që nuk ishte themelues i këtij Universiteti. Me këtë, jo vetëm që u cënua autonomia e kultit të dijës në Kosovë, Universitetit të tij të vetëm, por edhe u bënë veprime që për botën e civilizuar janë absurde. Pushteti okupues serb ndërmorri veprime si: me ndihmën e policisë shkarkoi nga organet udhëheqëse të gjithë shqiptarët dhe në vend të tyre vendosi kuadro serbo – malazeze; nuk lejoi regjistrimin e 7.231 studentëve shqiptarë në vitin e parë, në bazë të konkursit që e kishte shpallë Universiteti; nuk u lejoi vazhdimin e studimeve për 23.000 studentëve shqiptarë që ishin në proqes të vazhdimit të studimeve. Atyre ju ndalua hyrja në lokalet dhe në ambijentet e Universitetit; U ndalua përdorimi i gjuhës shqipe në administratë dhe u hoqën të gjitha mbishkrimet në gjuhën shqipe, nga të gjitha ambientet e Universitetit; Të gjitha ndërtesat e Universitetit (lokalet për mësim, laboratoret, kabinetet, bibliotekat, konviktet, menzat e të tjera), u rezervuan vetëm për serb, ndërsa për studentët dhe profesorët shqiptarë me forcë policore iu ndalua hyrja në to.
U organizuan protesta të shumta paqësore të mësimdhënsve dhe studentëve, me kërkesë për lirimin e objekteve edhe për mësimin në gjuhën shqipe. Për pjesëmarrje në protesta u malltretuan, u rrahën e u burgosën shumë prej tyre. Për pjesmarrje në këto protesta u përjashtuan nga puna pjesa më e madhe e mësimdhënësve shqiptarë. Pasoi përjashtimi masovik i mësimdhënsve e personelit administrativo – teknik shqiptarë, me ç’rast, nga qershori deri në fund të vitit 1991, u larguan 981 punëtorë, prej të cilëve 824 profesorë, ligjërues e bashkëpunëtorë.
Në këto rrethana, nën organizimin e Shoqatës së Pavarur të Arsimtarëve Universitar dhe Punojsëve të tjerë Shkencorë të Kosovës të cilës i printe prof. Eshref Ademaj, Sindikatës së Panvarur të Univesitetit dhe Institucioneve Shkencore të Kosovës dhe Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës u organizuan shumë protesta dhe u ndërmorën shumë veprime për të kundërshtuar okupimin dhe masat e dhunshme në këtë Universitet. Nën organizimin e këtyre organizatave të kohës, bashkë me shumë intelektual të tjerë, në formë të organizuar, u udhhoq dhe u kundërshtua represioni serb mbi Universitetin e me këtë edhe ndaj Kosovës.
Në fillim të vitit akademik 1991/92 Universiteti i Prishtinës, mësimi në gjuhën shqipe, bëri përpjekje për t’u kthyer në lokalet e veta, tani të okupuara. Meqë, një pjesë e kuadrit mësimor ishte ende e papërjashtuar nga puna, u bënë përpjekje që ata të bënin pranimin solemn edhe të studentëve të rinj shqiptarë, por kjo nuk u lejua dhe u pengua me ndërhyrjen e forcave policore. U organizuan protesta, por edhe pas tyre nuk u lejua hyrja dhe fillimi i mësimit. Në rrethanat e krijuara punonjësit shqiptarë të Universitetit, me iniciativë të Shoqatës dhe të Sindikatës së Universitetit si dhe me pëlqimin e subjekteve të tjera relevante, u muar vendimi që të ruhej struktura organizative e UP-së dhe kontinuiteti i punës e i studimeve në gjuhën shqipe, në të gjitha nivelet. Në rrethana të tilla u shqua personaliteti i vërtetë, urtësia, angazhimi dhe karakteri i pathyeshëm i prof.Eshrefit. Ai ishte violina e parë që punoi dhe u angazhua me gjithë potencialin dhe kredibilitetin njerëzor të tij. Në takimet, thuaja të përditshme, që kishim me prof.Eshrefin “lindi” dhe filloi të materializohej një ide e re – ideja e rimëkëmbjes së një universiteti të ri e të pavarur, të një universiteti shqiptar, në Prishtinë. Këtë ide e prezantoi prof.dr.Eshref Ademaj, kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve… në intervisten dhënë gazetës “Bota e Re” dhe gazetën “Bujku”, ku ndër të tjera, shtoi nevojën që “duhet të përgatitemi dhe që nga fillimi i vitit akademik të organizojmë universitetin në gjuhën shqipe”.
Për këtë qëllim, me nismën e këtyre dy subjekteve dhe kërkesën e dekanëve apo prodekanëve shqiptarë, ishte thirrur Kuvendi i Universitetit, me delegatët shqiptarë, që ishin mbi 50% të asaj përbërje. Kuvendi mori vendim që të zgjedhen organet udhëheqëse të Universitetit, të fakulteteve dhe të shkollave të larta. Pas këtyre zgjedhjeve, duke pasë parasysh edhe gadishmërinë e popullatës për të lëshuar shtëpitë e tyre për mbajtje të mësimit, si dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës, u vendos të vazhdohej me punë dhe organizim të ligjëratave e ushtrimeve, me mbajtjen e provimeve si dhe të kryhen të gjitha aktivitetevet e të tjera lidhur me punën në këtë Universitet. Në këto aktivitete shquhet angazhimi dhe këmbëngulsia e prof.Eshrefit. Me organizimin e Shoqatës së Arsimtarëve … dhe Sindikatës së Pavarur … më 18 tetor 1991 u formua Grupi punues (për rimëkëmbjen e punës në Universitetin e Prishtinës. Grupi mbajti dy mbledhje konsultative (më 19.10.1991 dhe 21.10.1991), ndërsa në mbledhjen e dt. 23. 10.1991 u prezantua materiali, ku ishte prezent edhe kryetari i SHAUPSH të UP-së-prof.dr.Eshref Ademaj. Në këtë takim grupi punues propozoi sa vijon:
1. Të riaktivizohen organet e Universitetit, të fakulteteve dhe shkollave të larta (Kuvendi i UP), këshillat e komisionet, e në fakultete dhe shkollatë larta, të aktivizohen posaqërisht organet profesionale (këshillat mësimore-shkencore, katedrat etj.);
2. të zgjidhen përkatësisht të aktivizohen organet punëdrejtuese të Universitetit, të fakulteteve dhe të shkollave të larta (rektori, dy prorektorë dhe prorektori student);
3.Aktiviteti dhe puna e organeve në fjalë të mbështetet në Statutin e Universitetit dhe në Marrëvshjen për bashkim në Universitet, si dhe në statutet e fakulteteve dhe të shkollave të larta, përkatësisht të punohet sipas dispozitave ligjore pozitive të Kosovës (këtu nënkuptojmë harmonizimin e akteve të përgjithëshme të Universitetit me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës);
4. Të sigurohen lokalet dhe shërbimi i domosdoshëm profesional në Universitet;
5. Fakultetet dhe shkollat e larta të vetorganizohen mbi bazat e sipërpërmendura, duke pasur parasysh specifikat dhe rrethanat përkatëse të çdo organizate të shkollimit të lartë;
6. Propozimet si këto ose propozimet e reja t’i dërgohen Grupit punues që pastaj t’u përcillen organeve kompetente të Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e përbashkët të kryesive të Shoqatës dhe Sindikatës, të datës 12.11.1991, u diskutua çështja e aktiviteteve të deritanishme rreth aktivizimit e zgjedhjes së organeve të UP-së, mbi bazën e rekomandimeve të grupit punues. Kështu, u vendos që kolegjiumi i dekanëve të thërret mbledhjen e Kuvendit të Universitetit, ndërsa si datë e mbajtjes së tij u caktua data 20.11.1991, ora 11.00. Në mbledhjen e datës 26.11.1991 Kuvendi legjitim i Universitetit të Prishtinës zgjodhi strukturat udhëheqëse të Kuvendit të UP-së dhe organin (e përkohshëm) kolegjial punëdrejtues (Rektorin) e Universitetit të Prishtinës. Rektor me vota të fshehta u zgjodh prof.dr.Ejup Statovci, ndërsa prorektor u zgjodhën prof.dr.Eshref Adeamj dhe prof. dr Selman Bryma.
Falenderues kontributit të dr.prof.Eshref Ademaj