Institutieps

Dr.Aurela Zizi, Zhvillimi profesional i mësimdhënësve

Dr.Aurela Zizi

    Zhvillimi profesional i mësimdhënësve

    (aspekte të përgjithshme pedagogjike dhe krahasuese)

    1.Kuptimi i termit Zhvillim profesional

    Zhvillim i vazhdueshëm profesional” i ka rrënjët në filozofinë konstruktiviste e cila pretendon që ajo çfarë ndërtojmë dhe mënyra si e shohim botën sot nuk ka qenë njësoj në të shkuarën dhe nuk do të jetë e njëjtë as në të ardhmen.

    • Sipas OECD-së, Zhvillimi profesional lidhet me aktivitete që zhvillojnë aftësi, njohuri, profesionalizëm dhe karakteristika të tjera të mësuesit.
    • Për Darling-Hammond, Hyler dhe Gardner ZHP është procesi i të nxënit professional, i strukturuar që synon të përmirësojë praktikën e mësimdhënies dhe të nxënit e nxënësve.
    • Për Broën dhe Mitillo, ZHP është një proces intensiv, i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për rritjen e efektivitetit të mësuesve dhe drejtuesve me qëllim përmirësimin e arritjeve të nxënësve.
    • Sipas Bredeson, ZHP synon të thellojë zotërimin e përmbajtjes, të menduarin kritik dhe zgjidhjen e problemit me qëllim zhvillimin e kompetencave të nxënësve për shekullin XXI.

    Zhvillimi profesional përfshin të gjitha mundësitë e të nxënit për t’iu përshtatur ndryshimeve në sistemin arsimor, për të rritur efektivitetin e mësimdhënies dhe të të nxënit.

    Republika e Kosovës: UA. i MASHT nr.16/2023 për zhvillimin profesional të mësimdhënësve, në mënyrë eksplicite obligon shkollat të bëjnë zhvillimin profesional të mësimdhënësve, me bazë në shkollë.

    Si kërkesë obligative ligjore dhe kërkesë e sistemit të licensimit të mësimdhënësve dhe në funksion të avancimit të praktikave profesionale të mësimdhënësve në shkollë, me qëllim përmirësimin e cilësisë së mësimit zhvillimi profesional duhet planifikohet dhe zhvillohet me prioritet.

    Programet e zhvillimit profesional të mësimdhënësve miratohen nga MASHT. Gjatë, ZHPMBSH mësimdhënësit mësojnë nga njëri – tjetri.

    Disa nga format e ZHPMBSH bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore në Kosovë janë: trajnimet; punëtorit dhe seminare nga vetë shkolla; këshillim dhe mentorim ndërmejt kolegëve; kërkim /hulumtim nga vetë kolegët etj. Por kjo nuk nënkupton që shkollat si institucione dhe në bashkëpunim mes tyre apo me ofertues të tjerë të jashtëm të programeve zhvilluese, të mos planifikojnë dhe zhvillojnë programe në forma dhe modele të tjera, bazuar në nevojat e mësimdhënësve dhe stafit tjetër të shkollës. 

    Identifikimi i nevojave nga shkolla bëhet çdo 2 vjet (janar-prill). Planifikimi i ZHPM në nivel shkolle bëhet çdo vit (maj-korrik). Një (1) ditë e plotë trajnimi = 6 orë.

    2. Korniza Strategjike për zhvillimin e mësimdhënësve në Kosovë

    Një shkollë është e mirë, po aq sa janë të mirë mësimdhënësit e saj…

    • Mësimdhënës i ri. 1-2 vjet mentorohet sipas një programi të veçantë pune;
    • Mësimdhënës i karrierës (5 vjet) – 100 orë trajnimi
    • Mësimdhënës i avancuar ( vjet) – 300 orë trajnimi (100 orë për licensë)
    • Mësimdhënës mentor (5 vjet) – 200 orë trajnim (100 orë si mentor) – licensa 5 vite
    • Mësimdhënës i merituar (10 vite) – 450 orë trajnim –

    Për zhvillimin profesional të mësimdhënësve kujdesen: Drejtori; Koordinatori për sigurimin e cilësisë; Zëvendësdrejtori; Pedagogu i shkollës; Mentori për ZHPM; Mësimdhënësi trajner / mentor;

    Studimet tregojn se:

    • Zhvillimi profesional është i lidhur me nevojat e nxënësve dhe të mësimdhënësve
    • Përmbushja e tyre lidhet me përmirësimin e performancës së shkollës dhe përmirësimin e mësimdhënies
    • Zhvillimi profesional ndodh si: aktivitet i strukturuar: seminar, punëtori, tryeza të rrumbullakta, konferencë etj.
    • Aktivitetet jo formale: biseda, diskutime, lexime literature profesionale, shkëmbim përvojash etj.

    Jemi në shekullin XXI. Çfarë kërkohet nga një mësues?

    • Të ketë aftësi përshtatjeje;
    • Të përparojnë sipas ndryshimeve që ndodhin në botë;
    • Të përshtaten me ndryshimet në zhvillimin e teknologjisë, duke i bërë pjesë të orës së mësimit;
    • Të bashkëpunojnë me mësuesit e tjerë e të punojnë si një skuadër për t’u rritur profesionalisht;
    • Të jenë mendimtarë kritikë e t’i përgatisin nxënësit për mundësitë që do të ofrojë e ardhmja;
    • Të jenë advokues për profesionin e tyre dhe për edukimin e brezave.

    Disa Fakte / dëshmi pse nevoitet zhvillimi profesional

    • Më shumë se gjysma e profesioneve nuk ekzistojnë më.
    • Edukimi duhet t’i përgjigjet ndryshimeve në ekonomi, teknologji dhe shoqëri;
    • Sot kemi shoqëri globale, informacion digjital, kompetenca kulturore, shpikje, ndërgjegjësim emocional, shëndet mendor, sipërmarrje, mendim kritik dhe zgjidhje problemesh;
    • Kemi një mësimdhënie që kërkon përdorimin e teknologjisë dhe të kompjuterit;
    • Nevojë për zotërimin e aftësive të reja personale, si: aftësitë e të menduarit kritik, krijues, zgjidhjen e problemeve, vetëzhvillim etj;
    • Zhvillimin e aftësive sociale të lidhura me ndërgjegjësim për një shoqëri globale dhe shumëkulturore, të jesh i artikuluar dhe të zotërosh aftësi lidershipi;
    • Informacioni dhe njohuritë na bëjnë të jemi njerëz që nxëmë gjatë gjithë jetës;

    3.Zhvillimi profesional i mësimdhënësve

    Hargreaves & Fullan: Nuk ka përgjigje të gatshme për pyetjet “Si…”. Recetat e gatshme thjesht mund t’ju japin ide dhe mundësi zgjidhjesh për situatën tuaj. Askush, asnjë artikull, studim apo situatë e gatshme nuk mund të përcaktojë zgjidhjen tuaj më të mirë, mënyrën si duhet të veproni apo çfarë duhet të bëni në shkollën tuaj. Jeni ju vetë që do t’ia dilni mbanë!

    Zhvillimi profesional dhe mësimdhënia cilësore lidhen drejtpërdrejt me mësimdhënësin. Nëse ne flasim për zotërimin e aftësive bazë që i duhen nxënësve si themel për shkollimin e mëtejshëm, varet nga cilësia profesionale e mësuesve.

    A jemi në krizë për mësues kompetent në zotërimin e njohurive të lëndës që japin mësim dhe aftësive pedagogjike për ta dhënë në mënyrë efektive lëndën e tyre? Si ndikon drejtuesi në motivimin e mësuesve dhe në mjedisin/klimën e punës në shkollë? Sa nxitës të bashkëpunimit të mësuesve me njëri-tjetrin janë drejtuesit e shkollave? Sa të vëmendshëm dhe të kujdesshëm janë për fleksibilitetin në orarin e mësuesve etj. janë disa nga pyetjet me të cilat përballemi ne, veçmas komuniteti i arsimit. 

    Zhvillimi i vazhdueshëm profesional jo vetem se ofron zgjidhje në pyetjet e parashtruara më lartë por i mban mësuesit të azhurnuar në hulumtimet e reja mbi mënyrën se si fëmijët/nxënësit mësojnë, mjetet e teknologjisë në zhvillim për klasën, resurset e reja të kurrikulit dhe më shumë.

    Zhvillimi më i mirë profesional është i vazhdueshëm, eksperimental, bashkëpunues dhe i lidhur me të dhe që rrjedh nga puna me nxënësit dhe të kuptuarit e kulturës së tyre.

    Zhvillimi profesional priret të jetë më efektiv kur ai është pjesë e përpjekjeve të përgjithshme të shkollës, dhe jo kur është një aktivitet i izoluar që ka pak të bëjë me iniciativat dhe ndryshimet e tjera që ndodhin në rang shkolle.

    Zhvillimi profesional duhet të zhvillohet në një klimë kur nuk ka konflikt mes nevojave të mësuesit si individ dhe nevojave të shkollës.

    4.Disa përgjegjësi të drejtorit të shkollës në raport me zhvillimin profesional të mësimdhënësve

    Udhëheq, merret me zhvillimin e institucionit, nxjerr vendime, është i angazhuar për efektivitet, udhëzon për arritjen e rezultateve, krijon vizion dhe qëllime të përbashkëta, merret me vendosjen e rregullave dhe politikave të reja shkollore, mendon për të ardhmen duke marrë përgjegjësinë për të qenë origjina e ndryshimit, bashkëvepron me të tjerët, kujdeset për zhvillimin profesional të burimeve humane etj.

    Është e nevojshme që drejtuesit e shkollave të mbështesin zhvillimin e komuniteteve profesionale mësimore në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, në mënyrë që reforma në arsim të ketë sukses (Fullhan 2010).

    Studimet tregojnë se shkollat që theksojnë vlera njerëzore dhe një ndjenjë të fortë të përvojës, së komunitetit tentojnë të shfaqin më pak problem (Narvaez / Lapsley, 2009).

    Zhvillimi i burimeve humane të shkollës është detyrë themelore e çdo drejtori, i cili pretendon të jetë modeli i suksesshëm. Procesi i zhvillimit të burimeve njerëzore në shkollë, për të qenë i suksesshëm, minimalisht duhet të kalojë në këto faza:     

    Informimi;

    Planifikimi i nevojave;

    Identifikimi dhe selektimi i potencialeve/burimeve;

    Vëzhgimi i potencialeve/burimeve të selektuara;

    Motivimi dhe shpërblimi;

    Zhvillimi profesional.

    Në Kosovë detyrat dhe përgjegjësit e drejtorit të shkollës në raport me zhvillimin profesional të mësimdhënësve janë të përcaktuara me akte nënligjore, konkretisht me UA.nr.04/2012 – standardet e praktikës profesionale të drejtorit të shkollës dhe UA.nr.16/2023 – zhvillimi profesional i mësimdhenesve.

    UA.nr. 04/2012

    “Drejtori i shkollës nxit suksesin e shkollës, të nxënësve të saj duke mundësuar zhvillimin, artikulimin dhe zbatimin e një vizioni  të nxënies të reflektuar në vlera, mision dhe objektiva të përbashkëta shkollore dhe mësimdhënie në klasë; Drejtori i shkollës duhet të ketë njohuri dhe të kuptojë modelet e ngritjes profesionale të personelit”

    UA.nr.16/2023

    Neni 8, 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15 dhe 16 i këtij udhëzimi përcakton detyrat dhe përgjegjësit e shkollës si institucion dhe drejtorit si udhheqës pedagogjik i saj në raport me zhvillimin profesional të mësimdhënësve me bazë në shkollë.

    Leave a Comment

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    Scroll to Top