Institutieps

Ramadan Limani, Akdemik Eshref Ademaj kolos i shkencës së matematikës dhe patriot i rrallë

Akdemik Eshref Ademaj kolos i shkencës së matematikës dhe patriot i rrallë

Të shkruash për Akademik Eshref Ademajn është një detyrë shumë e vështirë dhe komplekse, sepse është vështirë për të gjetur fjalët adekuate të cilat do ta përshrkuanin, bile përafërsisht personalitetin dhe figurën shumëdimensionale të tij. Në këtë shkrim, nuk do të shkruaj fakte biografike dhe të arriturat shkencore të profesor Eshrefit, sepse ato shumë lehtë mund të gjenden në shkrimet tjera, apo edhe në Wikipedi, ose në website-in e ASHAK-ut https://ashak.org/anetaret/eshref-ademaj/, por unë do të mundohem të përshkruaj personalitetin e profesorit Eshref nga këndvështrimi i një ish-studenti të tij dhe më vonë si një bashkëpunëtor.

Profesorin Eshref për herë të parë e kam takuar në tetorin e vitit 1983, derisa profesori ligjëronte kursin e Algjebrës së përgjithshme. Kursi ishte mjaft kompleks, me një përmbajtje shumë të pasur dhe me shumë tema dhe nocione nga Algjebra abstrake, nocione të cilat i hasnim për herë të parë. 

Falë aftësive të profesor Eshrefit, si në rrafshin profesional ashtu edhe në atë metodik, kjo lëndë komplekse bëhej më e qartë dhe më e thjeshtë për ta kuptuar. Profesori ishte shumë i hapur dhe i afërt me ne studentët. Ligjëratat e tij ishin tërheqëse dhe me kënaqësi ne i vijonim ato. Mendoj se profesor Eshrefi posedonte aftësi të rralla për t’i thjeshtësuar materialet komplekse nga fusha e Algjebrës. Pas zgjedhjes sime si asistent,  dhe pas fillimit të punës në Seksionin e Matematikës më 1 tetor 1986,  fillova që ta njoh edhe më shumë dhe më për së afërmi profesor Eshrefin.

Lirisht mund të them se profesor Eshrefin e kishim si këshillëtar se si duhet punuar me studentë dhe krahas punës me studentë, se si duhet kushtuar kujdes edhe ngritjes profesionale, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë mund të ecim përpara dhe ta zhvillojmë vendin dhe me sukses të përballemi me politikën diskriminuese të pushtetit të atëhershëm serbo-malazezo-maqedonas. Ishin këto vite të vështira për shqiptarët në përgjithësi dhe për Universitetin e Prishtinës në veçanti.

Me kalimin e viteve, dhe veçanërisht pas ashpërsimit të politikës serbo-malezezo-maqedonase kundër çdo gjëje që ishte shqiptare, dhe veçanërisht pas nismës së Serbisë për shuarjen e autonomisë së Kosovës, qarqet shoveniste serbo-maleze në Seksionin e Matematikës, në FSHMN dhe në Universitetin e Prishtinës, filluan një fushatë të paparë kundër profesorëve dhe intelektualëve të spikatur të Universitetit të Prishtinës. Në mesin e tyre, padyshim se ishte edhe profesor Eshref Ademaj. Kjo nuk ishte e rastësishme, por mirë e planifikuar nga pushtuesi serb, sepse profesor Eshrefi ishte ndër intelektualët e parë që reagonte publikisht ndaj çdo padrejtësie dhe ndaj çdo sulmi që i bëhej autonomisë së Universitetit, autonomisë së Kosovës dhe ndaj sulmeve antishqiptare në përgjithësi.

Asnjëri nga këto sulme nuk arriti që ta zbrapsë profesorin Eshrefin nga lufta për kauzën kombëtare dhe nga lufta për ta mbrojtur me çdo çmim Universitetin e Prishtinës.

Profesor Eshrefi ishte shumë aktiv edhe gjatë Aksionit fisnik kombëtar për pajtimin e gjagjeve të udhëhequr nga profesor Anton Çetta. Po ashtu, ai ishte në krye të organizimit të tubimit madhështor të arsimtarëve universitarë dhe punonjësve shkencorë, të mbajtur në qershorin e vitit 1991. Pas mbylljes së Universitetit të Prishtinës nga pushtuesi serb, ishte pikërisht profesor Eshrefi inisiatori dhe organizatori kryesor i vazhdimit të punës së Universitetit të Prishtinës në mënyrë legale dhe institucionale, duke shfrytëzuar objektet private.

Ky organizim e ruajti vazhdimësinë e punës së Universitetit të Prishtinë, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, e ruajti dhe e mbajti në Kosovë substancën njerëzore: studentët dhe stafin akademik. Mendoj se kjo ishte një nga fitoret më të mëdha të rezistencës paqësore kundër pushtesit serb.

Fatkeqësisht, në vitin 1993 një sëmundje e rëndë e kaplon profesorin dhe pas një beteje të gjatë me te, më 17 korrik 1994 në moshën 54 vjeçare Profesor Eshrefi ndërron jetë në Spitalin e qyeteti të Jessenit në Gjermani. Vdekja e tij e hershme ishte një humbje e madhe, si për familjen, ashtu edhe për Universitetin e Prishtinës dhe kombin shqiptar në përgjithësi.

Nëse flasim për profesorin Eshref si shkencëtar dhe organiztor, lirisht mund të themi se ai ishte një shkencëtar i denjë në fushën e Algjebrës, veçanërisht në teorinë e gjysmëgrupeve dhe Gjeometrisë së fundme. Rezultatet e tij janë botuar në revista shumë të njohura botërore të matematikës. Ai ishte edhe organizatori the themeluesi i studimeve pasuniversitare në Seksionin e Matematikës, si dhe Kryetar i Këshillit Organizativ të Kongresit VIII të Matematikanëve, Fizikanëve dhe Astronomëve të ish-Jugosllavisë, që u mbajt në Prishtinë nga 23-27 shtator 1985 dhe themelues i revistës shkencore “Punime Matematike”.

Nëse flasim për profesorin Eshref si pedagog, lirisht mund të themi se ai ishte një pedagog i rrallë i Universitetit të Prishtinës. Ai shquhej për afërsinë që kishte me studentë dhe gatishmërinë për t’ju ndihmuar atyre.

Po Nëse flasim për profesorin Eshref si patriot, lirisht mund të themi se ai ishte një patriot i vërtetë dhe i rrallë i popullit shqiptar.

Ai nuk trembej përballë asnjë rreziku dhe fortune për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe për avansimin e tyre. Ai ishte i gatshëm që edhe me çmimin e jetës të paguente për aktivitetet patriotike. Në rrafshin njerëzor, profesor Eshrefi posedonte virtyte të rralla njerëzore.

Modestia, sinqeriteti dhe thjeshtësia me kolegët dhe miqtë e karakterizonin personalitetin e tij. Jetoi pak, por dha shumë për Universitetin e Prishtinës dhe kombin shqiptar në përgjithësi.

Lavdi jetës dhe veprës së shenjtë të profesor Eshref Ademajt!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top