Institutieps

Fuat Berisha, Akademik prof.dr. Eshref Ademaj mësimdhënës dhe studiues me nivele të larta shkencore – pedagogjike

Akademik prof.dr. Eshref Ademaj mësimdhënës dhe studiues me nivele të larta shkencore – pedagogjike

Akademik Eshref Ademaj me rezultatet e arritura në shkencën e matematikës padyshim është një nga studiuesit më me emër në rafshin kombëtar dhe më gjërë, ai ka një kontribut të vlerësuar edhe në nivele ndërkombëtare.

Akademik prof.dr.Eshref Ademaj krahas punës dhe hulumtimeve shkencore, ishte një mësimdhënës (pedagog) me përgatitje të lartë pedagogjike – metodike dhe me virtyte të larta njerëzore.

Krahas mësimdhënësit me nivele të larta shkencore, pedagogjike dhe metodike ishte shumë i afërt dhe miqësor me studentët, gjithnjë i gatshëm që t’i mbështur dhe motivuar, për arritjen e synimeve të tyre profesionale – studimore. Të ishe nxënës dhe student i prof.Eshref Ademaj ishte një avantazh i veçant sepse krahas dijeve shkencore të cilat i fitonim nga lënda e matematikës, e të cilat profesori tek ne studentët i barte me një mjeshtëri metodike dhe takt pedagogjik të veçant, përmes punës së tij profesionale, përkushtimit për përgatitjen e ligjeratave dhe udhëzimeve të tij, fitonim edhe në aspektin e formimit njerëzor dhe kombëtar, sepse na shtohej dëshira për arritje të reja, dashurija ndaj njerëzve dhe atdheut përkatësisht Kosovës. Profesor Ademaj krahas punës mësimore-shkencore me studentët një vëmendje të veçant i kushtonte edhe kultivimit të patriotizmit dhe ndjenjes së dashurisë ndaj Kosovës, e cila atakohej vazhdimisht nga pushteti i kohës.

“Atdhetar bëhesh duke kontribuar në profesionin të cilin e ke zgjedhur dhe e ushtron, e neve jemi përcaktuar për shkencën, andaj duhet të kontribuojmë në shkencë dhe përmes saj ta lartësojmë jo vetëm Kosovën” – një nga udhëzimet e profesorit Eshref Ademaj.   

Dr.prof.Eshref Ademaj shërbeu si modeli më i mirë i mundshëm për formimin e shumë intelektualëve, studiuesve dhe shkencëtarëve të rinjë shqiptar, në veçanti në shkencën e matematikës. Ishte një nga themeluesit e Fakultetit të Shkencave Matematiko Natyrore të Universitetit të Prishtinës, njëherit edhe themelues i kërkimeve matematikore më nivel magjistrature dhe doktoriale. 

Në aspektin shkencor duhet potencuar disa botime në revistat prestigjioze ndërkombëtare dhe disa tekste shkollore dhe universitare, mbi të gjitha tekstin universitar në bashkëautorësi me prof.dr.Emrush Gashin “Algjebra e Përgjithshme”. Gjithashtu duhet vlerësuar lartë edhe kontributin e profesor Ademajt në  udhëheqjen e revistës shkencore “Matematika-Fizika” (revistë profesionale e SHMFA të Kosovës) dhe të “Buletinit të punimeve shkencore” të FSHMN të Prishtinës.

Në aspektin personal jam shumë krenar që pata fatin të jem nxënës përkatësisht student i dr.prof. Eshref Ademaj, andaj kur fillova të shkruaj këtë kumtësë, u ndjeva shumë i emocionuar dhe jam falenderues të madhit Zot për këtë mundësi si dhe organizatorit të kësaj tryeze shkencore.

Profesor Ademajn e njoha fillimisht në vitin shkollor 1972/1973 kur në Prishtinë pikërisht me nisëm e tij dhe mbështetjen e profesorëve të tjerë si Ejup Hamiti, Ahmet Mumxhiu etj. ishte hapur Gjimnazi Matematikor, i nivelit siç ishin në atë kohë gjimnazet matematikore në Beograd, Zagreb dhe Lubjanë. Në këtë institucion edukativ-arsimor përkatësisht gjimnaz pranoheshin nxënës nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare si Kosova Lindore, Maqedonia, Plava dhe Gucia etj. Fillimisht u formuan vetëm dy paralele me nxënës të zgjedhur nga këto troje. Në këtë gjimnaz Prof. Ademaj dhe të gjithë mësimdhënësit e tjerë universitar punonin pa pagesë, sepse e konsideronin kontribut në aspektin shkencor dhe kombëtar për atdheun, për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Nxënësit shkolloheshin me financimin e shtetit të Kosovës. Nga ky gjimnaz dolën shumë  kuadra të cilët i kontribuan shkencës së matematikës dhe jo vetëm si: Rexhep Gjergji, Marjan Demaj, Ramadan Zejnullahu, Abdullah Zejnullahu e shumë të tjerë. Më pastaj duke vazhduar studimet në Fakultetin e Matematikës për katër vite kisha mundësin të përfitoja shumë nga ligjeratat, punimet seminarike dhe të tjera aktivitete shkencore të përgatitura nga dr.prof. Eshref Ademaj, sepse ai të gjitha këto i përgatiste me përkushtim dhe nivele, të cilat tek ne studentët zgjonin interesim të duhur dhe na përgatisin që pas mbarimit të studimeve të jemi të gatshëm për të kontribuar në aspektin shkencor dhe njerëzor, mbi të gjitha në dhënjen e kontributit në institucionet edukative-arsimore dhe universitare të Kosovës dhe në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.  

Dr.prof. Eshref Ademaj ka një kontribut të veçant edhe në krijimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Universitetet jashtë Kosovës, duke përfshirë edhe Universitetin e Tiranës. Konkretisht në vitin 1980 duke qenë student i vitit të fundit të fakultetit të matematikës, fal këtij bashkëpunimi kisha rastin, sigurisht jo vetëm unë por gjithë studentët e kësaj gjenerate të përcillnim ligjerata dhe leksione nga pedagog të këtij universiteti, përfshirë edhe leksionet nga lënda Analiza Funksionale të përgatitura nga prof.dr. Skender Gjinushi.

Vlenë të theksohet se si student i matematikës kam patur rastin t’i posedoj disa punime shkencore të publikuara në gjuhën ruse të profesorit Eshref Ademaj, të cilat fatkeqsishtë gjatë periudhës së viteve 1998/199 më janë humbur. Prof.Eshref Ademaj krahas punës shkencore si mësimdhënës, ishte vazhdimisht në mesin e të gjitha organizimeve të cilat i ndërmerrnin studentët, duke përfshirë edhe ato festive, kulturore e të tjera, natyrshëm kjo e bënte profesorin të afërt, komunikues dhe miqësor me ne studentët. Si kujtim më ka mbetur një fotografi e absolventiadës e vitit 1980 me prof. Eshref Ademaj, prof. Ejup Hamiti, prof. Muharrem Berishën dhe studentët: Regjep Gjergji, Ramadan Zejnullahu, Marjan Demaj, një profesor nga Shqiperia (nuk më kujtohet emri) dhe unë Fuat Berisha.

Veprimtaria shkencore e dr.prof.Eshref Ademaj është vetëm njëra anë e kontributit të tij për ne studiuesit e shkencës së matematikës dhe të shkencës në përgjithësi në Kosovë, vlerat dhe kontributi i tij kombëtar arriti kulminacionin në vitet 1990 e në vazhdim kur ai u gjend në ballë të shumë organizimeve për mbrojtjen e shkollës shqipe dhe të Universitetit të Prishtinës, përfshirë protesat dhe aktivitetet e tjera. Ishte njeri me kontribute në aspektin kombëtar, në asnjë rast nuk trembej, nuk zbrapsej, përkundrazi e shtonte angazhimin dhe aktivitetin e tij. Edhe atëherë kur siç shprehej prof.dr. Ejup Statovci edhe koha vetë zuri  të trembej më 1990, ai nuk lejoi të ndalet koha për Univrsitetin, vetëm e drejtoi atë në drejtimin e duhur…  

Gjithnjë do të kujtohet si pedagog dhe shkencëtar i madh, model për tu ndjekur, gjithashtu edhe si idealist, i perkushtuar, i palodhur, i guximshëm  dhe kontributdhënës për formimin dhe jetësimin e shtetit të Kosovës.

Përjtësisht lavdi veprimtarisë shkencore të Akademik Ademajt!

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top