Institutieps

Hazer R. SUSURI, AKADEMIK ESHREF ADEMAJ,  KOLOS I SHKENCËS DHE I ÇËSHTJES KOMBËTARE 

AKADEMIK ESHREF ADEMAJ,  KOLOS I SHKENCËS DHE I ÇËSHTJES KOMBËTARE 

Historia moderne dëshmon se, personalitetet e shquara shkencore dhe kombëtare përkujtohen dhe nuk harrohen, përherë,  në bazë të kontributit të tyre shkencor dhe kombëtar, gjithnjë dhe gjithmonë në të mirë të shkencës shqiptare, kombit, të Atdheut.  Mbi këtë të vërtetë historike, Akademik Eshref Ademaj i plotësoi, gjatë jetës dhe të veprimtarisë së tij shkencore dhe kombëtare, të dy elementet qenësore të cilët e përbëjnë kolosin e shkencës dhe të çështjes kombëtare. Në këtë aspekt,  figura e akademik Eshref Ademaj do të ngel gjithmonë shembull i shkencëtarit dhe i kombëtarit dinjitoz në realizimin e qëllimeve në interes të shkencës dhe të kombit shqiptar, të Kosovës për çlirimin nga kolonializmi i Serbisë, për pavarësinë dhe sovranitetin e saj të plotë. 

Akademik Eshref Ademaj lindi në fshatin Zhur, komunë e Prizrenit në vitin 1940, vit i mbrapsht, ku niveli i arsimimit të popullatës shqiptare ishte tepër i ulët, kurse gjendja ekonomike përtej krizës së saj me varfëri në ekonomi, shkollim dhe ngritje profesionale.   Nën  këto kushte te vështira shoqërore ekonomike, politike e veçmas, kombëtare Eshref Ademaj e kreu Shkollën fillore në fshatin Zhur, ku i mësoi shkronjat e gjuhës shqipe. Në vitin 1966 e kreu Shkollën normale në Prizren dhe në vitin 1964 diplomoi në Fakultet  e Shkencave Matematiko – Natyrore. Me ato arritje të larta shkencore, akademike, Eshref Ademaj ishte intelektuali i parë me përgatitje të fakultetit, nga fshati Zhur i Prizrenit, i cili, në vitin 1970  magjistroi në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore të Beogradit, ndërkohë, doktoroi në shkencat matematiko natyrore në Zagreb në vitin 1976.  Të arriturat shkencore në lëmin e matematikës i kumtoi në punimet e shkruara shkencore,  tubime të ndryshme vendore dhe të jashtme   dhe ligjëroi në Tiranë, Sofje, Jenë, Heilderbeg etj.  Në vitin 1993 Eshref Ademaj u zgjodh anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Njëkohësisht ishte, themelues i studimeve pasuniversitare nga matematika në FSHMN të Prishtinës, anëtar i komisioneve për mbrojtje të disertacioneve të doktoratës në Universitetin e Prishtinës si dhe të Zagrebit dhe mentor i kandidatëve për titullin akademik magjistër dhe për doktor të shkencave matematikore, në Universitetin e Prishtinës.  

Në vazhdën e këtyre veprimeve pas suprimimit ushtarak të autonomisë së Kosovës të vitit 1989 nga forcat okupuese të Serbisë, akademik Ademaj ishte në krye të aktiviteteve revolucionare për mbrojtën e Universitetit të Prishtinës si dhe për ngritjen shpirtërore dhe të aktiviteteve konkrete të popullatës shqiptare për mbrojtjen e pozitës së Kosovës nga okupimi i Serbisë me të gjitha mjetet  për pavarësimin e saj. 

Në këtë objektiv, ai, organizoi dhe e mbajti Tubimin e Arsimtarëve të Universitetit të Prishtinës më datën 26 shkurt 1990, planifikoi dhe organizoi tubime protestuese (qershor dhe shtator të vitit 1991), kontribuoi përmes intervistave dhënë gazetave prestigjioze të kohës në nivel vendor dhe botëror përmes të cilave dokumentohej apartejdi serb mbi popullin shqiptar, kontribuojë në aksionin historik të pajtimin të gjagjeve dhe si anëtar i Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut me seli në Prishtinë

Tubimi i Arsimtarëve të Universitetit të Prishtinës, i kryesuar nga akademik Eshref Ademaj, isht historik sepse  u caktuan qëndrimet udhërrëfyese për veprimin politik në periudhën para zhbërjes përfundimtare të Jugosllavisë, dhe atë: depolitizimi dhe deideologjizimi i Universitetit; shpërndarja e organizatave të LKJ-së në UP; ndërprerja e diferencimit ideopolitik; kthimi në punë për të gjithë të anatemuarit dhe që Universitetit t’i kthehet autonomia dhe të mbrohet nga sulmet të pabaza.  

Në qershorin e vitit 1991 me aplikimin e masave të dhunshme, okupuese të Serbisë  në Universitetin e Prishtinës, akademik Eshref Ademaj me profesorët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës iu kundërvunë masave të tilla me mospranimin e pushtetit okupues serb në Universitetin e Prishtinës si dhe në mbarë Kosovën.  Akademik Ademaj lidhur me aplikimin e masave të dhunshme administrative dhe represionin tjetër serb në Universitetin e Prishtinës, në intervistën në gazetën “Bota e Re” me 3 Gusht 1991, pat deklaruar: “Qysh nga viti 1981 represioni ndaj Universitetit të Kosovës merr nuanca me të vrazhda që nuk njihen fare në botën e civilizuar dhe as figurojnë diku në aktet ndërkombëtare… Le të mendojë qeveria e Serbisë, le të mendojë edhe federata, se ne nuk heqim dorë nga Universiteti i Kosovës, as nga shkollat e mesme as nga programet mësimore. Ky është betimi i gjithë popullit, prandaj kthim prapa dhe dorëheqje nuk ka.  

Akademik, Eshref Ademaj, veçanërisht në vitet 1989,1990,1991 e derisa ndërrojë jetë, padyshim ishte personaliteti, njëri nga kolosët më të mëdhenj në mbrojtjen e UP-së, për mëvetësimin e tij dhe sigurimin e vazhdimësisë së misionit të tij madhor civilizues e kombëtar në kushte të jashtëzakonshme, në shtëpitë-shkolla.   Qëndroi stoikisht Prorektor i Universitetit të Prishtinës në periudhën e okupimit të Kosovës kur dhe Universiteti i Prishtinës u pushtua nga pushteti okupues i Serbisë dhe në këtë aspekt,  akademik Eshref Ademaj veproi me guxim qytetar, intelektual dhe patriotik në mbrojtjen e idealeve të Universitetit të Prishtinës, për vazhdimin e punës e të veprimtarisë aktive nën okupimin e Serbisë, pra, duke zhvilluar mësim në objektet, jashtë ndërtesës së Universitetit në lokalet private. Akademik Eshref Ademaj e dha kontributin e tij për pavarësinë e Universitetit të Prishtinës nga sundimi i pushtetit okupues të Serbisë për t’i ngritur kuadrot në fakultetet të Universitetit të Prishtinës në të gjitha lëmit e jetës e të veprimtarisë e me qëllim të përgatitjes së tyre për Kosovën e lirë dhe të pavarur nga Serbia. Prandaj, akademik Ademaj karakterizohet pishtar i punës shkencore në Universitetin e Prishtinës dhe në mbrojtjen e autonomisë së tij dhe të Kosovës. 

Akademik Eshref Ademaj, ishte edhe luftëtar i vendosur politik, i denjë dhe i pakompromis për të drejtat kombëtare dhe njerëzore  të popullit shqiptar . Mbi kauzën kombëtare,  akademik Ademaj, në punimet e tija  dhe  si anëtar i KMDLNJ në Prishtinë, u angazhua dhe kontribuoi në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive individuale dhe të drejtave kombëtarë e njerëzore në vend dhe më gjerë. Kështu në këtë periudhë të rëndë të Kosovës të okupuar nga Serbia ai shquhej për kontribut madhor me organizimet dhe ndërmarrjet e guximshme, kombëtare në mbrojtje të Universitetit të Prishtinës nga aparteidi shtetëror i Serbisë, të cilave ju printe vetë. Guximin dhe trimërinë e akademik Eshref Ademaj për të udhëhequr Tubimin protestues të datës 23 shtator 1991 para Fakultetit Filologjik të Prishtinës, në veçanti fjalimi i mbajtur në këtë tubim protestues historik, ku ai ishte shprehur se, Serbia e kishte okupuar Kosovën, kishte bërë grushtet dhe po zhvillonte politika antishqiptare, diskriminuese, gjenocidale dhe të segregacionit ndaj shqiptarëve në Kosovë.  

Si akademik i parë Eshref Ademaj bashkë me akademik Latif Susuri nga Zhuri, ishin shembulli më i mirë i gjeneratave të atëhershme intelektuale për fshatin Zhur, të cilët i kishim si shembull ndër ta edhe unë atëherë si nxënës i shkollës fillore të Zhurit. Edhe nga kjo distancë historike, më kujtohet akademik Eshtref Ademaj  në Zhur kur isha në klasën e dytë fillore se si ka arritur të ngritët në nivelin e profesorit dhe e ëndërroja ëndrrën time që edhe unë si fillorist në vitet 1958 nga fillorja të vazhdoi të mesmen, fakultetin dhe më lartë.   Ai ishte prijatar i shkollimit, shembulli i ynë, i gjeneratave intelektuale të fshatit Zhur.

Akademik Eshref Ademaj, dha rezultate historike për Kosovën për Universitetin e Prishtinës, për shkollimin në gjuhën shqipe. Si rezultat i veprimtarisë atdhetare të akademik Eshref Ademaj me shumë intelektualë të kohës, falë luftës heorike të UÇK-së dhe intervenimit të NATO-së, Kosova u çlirua nga okupimi një shekullor serb dhe sot, është shtet i pavarur.

Vdekja, Akademik Eshref Ademaj  e ndau para kohe, pa e pëprjetuar shpirtërisht, çlirimin e Kosovës, që aq shumë e deshti dhe për të cilën dha kontribut historik. Por,  në vend të tij, ne sot po i përjetojmë rezultate e punës së palodhshme të tija kombëtare e njerëzore për Republikën e Kosovës, shtet i lirë, i njohur ndërkombëtarisht, e i çliruar nga sundimi, okupimi i Serbisë.  

Prandaj, edhe në shenjë të përkujtimit për veprën heroike të akademik Eshref Ademaj, liria e jonë le të jetë përkujtimi më meritor, më dinjitoz për bashkëvendasin tonë, një ndër kontribuuesin intelektual të çlirimit  të Kosovës, për themelimin e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës.

Përjetësisht mirënjohës Akademik Eshref Ademajt

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top